Nga Julia Vrapi
Instalacioni artistik “Dielli i Ditës Tjetër” në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar ka ngjallur valë reagimesh në rrjete sociale. Në fasadën e muzeut, artistja Blerta Kambo ka sjellë ndërhyrjen artistike “Dielli i Ditës Tjetër”, ku në qendër qëndron gruaja me xhubletë, brezin me shqiponjën e Skënderbeut, e cila ngre duart lart, fitimtare, si metaforë e Shqipërisë që ecën përpara. Në “Dielli i Ditës Tjetër”, kjo figurë e njohur e mozaikut rishfaqet me kokë të qethur dhe me një shenjë në gjoksin e djathtë, siç është bërë me dije si shenjë solidariteti me të gjitha gratë që përballen ose kanë mbijetuar nga kanceri i gjirit. Instalacioni artistik në fasadën e MHK ka ngjallur reagime në rrjete sociale, por edhe një nga autorët e mozaikut, piktori i njohur Anastas Kostandini shprehet në një prononcim për gazetën “SOT” kundër ndërhyrjes që është bërë. Piktori thotë se e çmon shumë sensibilizimin dhe format e tjera kundër luftës me kancerin, por sipas tij nuk ka nevojë të mbërrihet deri te ndërhyrja tek mozaiku “Shqipëria” në MHK.
“Këto janë të paimagjinueshme për brezin tonë, aq më tepër për mua. Kjo ndërhyrje artistike nuk ka lidhje fare me atë mozaik. Nuk ka nevojë mozaiku të Muzeu Historik Kombëtar që të shërbejë si një suport sensibilizimi. Duhet të lënë të qetë historinë kombëtare të funksionojë. Në jetën e përditshme do dalin lloj -lloj kancerash dhe nuk duhet të jetë ajo. Jam i indinjuar për këtë gjë. Sigurisht që e çmoj shumë sensibilizimin dhe format e tjera kundër kësaj lufte, por nuk ka nevojë të mbërrihet deri atje. Është më tepër një nevojë për të bërë një ekzibicionizëm personal, pavarësisht nga “arsyeja” për të cilën bëhet. Vepra e ka mbyllur historinë e vet dhe nuk ka nevojë për ndërhyrjen artistike “Dielli i Ditës Tjetër”, thotë piktori Kostandini.
Vepra përfundoi në 1981
Mozaiku “Shqipëria” është një vepër e punuar nga artistë të njohur, mes tyre dhe piktori Anastas Kostandini. Ndërhyrja artistike te mozaiku ka ngjallur një debat, por piktori Kostandini që gjithashtu del kundër saj thotë se nuk mund të bëhet art për art. “Për çfarëdo lloj arsye nuk është e përligjur ajo gjë. Çfarë pune kanë me të? Është tjetër gjë, ajo është një ikonë kombëtare. Ajo është historia jonë. Nuk më pëlqen ajo ndërhyrje që është bërë. Nuk mund të bëhet art për art. Ky është art për art kur merret një vepër dhe mbi të instalohet diçka tjetër”, vijon piktori. Ndër të tjera në reagimin e tij piktori Anastas Kostandini shpreh dhe kritika ndaj institucioneve. “Nuk mund ta imagjinoj dot që të ndërhyhet deri në një ikonë, e cila është mbyllur në vitin 1981. Ndonjë ditë do kenë punë dhe me atë skulpturën që është në varrezat e dëshmorëve, sepse çfarë nuk i shpik mendja”, vijon piktori.
Ndërkohë që edhe Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i është përgjigjur debatit të ngritur në rrjete sociale duke shkruar se: “Fasada e Muzeut Historik Kombëtar ka marrë një dimension të ri përmes ndërhyrjes artistike “Dielli i Ditës Tjetër” të artistes Blerta Kambo, e cila lidh trashëgiminë kulturore me ndërgjegjësimin shëndetësor në një mesazh solidariteti, guximi dhe shprese”, por gjithashtu për debatin ka pasur një reagim edhe nga artistja Kambo. Siç është bërë me dije instalacioni është vendosur mbi mozaik në një distancë 10 centimetra nga sipërfaqja, si shtresë e përkohshme simbolike dhe pa asnjë ndërhyrje fizike në monument. Instalacioni do të qëndrojë 12 ditë. Mozaiku “Shqipëria” i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar është punuar nga artistët Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi. Mozaiku “Shqipëria” është më i madhi i këtij lloji në Shqipëri dhe ai u përurua bashkë me Muzeun Historik Kombëtar më 28 nëntor 1981 në Tiranë.
Debati për mozaikun, Anastas Kostandini: Vepra e ka mbyllur historinë e vet, nuk ka nevojë për ndërhyrje artistike
