“Jo debat për minimumin jetik”, PS rrëzon kërkesën e PD në konferencën e kryetarëve

Mazhoranca socialiste në konferencën e kryetarëve rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat për mungesën e një ligji për përcaktimin e minimumit jetik.
“Dhe unë dua ta bëj publikisht pyetjen që i bëra zotit Balla në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Masa e ndihmës për personat e papunë apo ndihma ekonomike për familjet me të ardhura të ulëta është rreth 40.000 ALL të vjetra. Dhe zoti Balla do të duhet t’i shpjegojë shqiptarëve, a mundet ai vetë personalisht të jetojë me 40.000 ALL të vjetra në muaj, siç në fakt jeton një numër i konsiderueshëm i familjeve shqiptare”, tha Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar, PD.
Kjo nuk është hera e parë që PS rrëzon kërkesat e opozitës, pasi që në mesin e muajit shtator, kur ka nisur parlamenti, mazhoranca ka rrëzuar pesë mocione me debat, tre kërkesa për komision hetimor dhe dy kërkesa për interpelancë me kryeministrin.

Në këtë situatë PD akuzoi mazhorancën se po mbyll çdo hapësirë që rregullorja dhe Kushtetuta kanë sanksionuar për opozitën, duke ndalur edhe diskutimet për ligjet.
“Ama është fakt dhe jo një gënjeshtër e gazetarëve siç akademiku Balla u përpoq ta servirte në opinionin publik, që deri më tani janë miratuar me dhjetëra ligje në dy muaj të kësaj legjislature dhe për asnjërin nga ligjet e miratuara nuk është lejuar debat parlamentar. Në asnjë prej ligjeve nuk ka pasur diskutime në parim, ashtu siç urdhëron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe rregullorja e Kuvendit”, u shpreh Bardhi.
Nga 10 seanca që parlamenti i ri ka zhvilluar, vetëm një seancë është zhvilluar normalisht duke diskutuar të gjitha pikat e rendit të ditës, në 9 seancat e tjera kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka kërkuar ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në votim.
Në seancën e fundit në parlament, deputetët diskutuan vetëm për institucionet e pavarura që raportuan në atë mbledhje, ndërkohë 7 ligjet e parashikuara në rendin e ditës u votuan pa lejuar asnjë diskutim për shkak të gjuhës që kryetari i PD Sali Berisha përdori ndaj ambasadorit të BE në Tiranë, Gonzato.