‘SPAK ka bërë një punë të shkëlqyer’/ Wadephul: U binda për këtë

Ministri i Jashtëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Johann Wadephul ka vizituar sot Tiranën në kuadër të një turi rajonal që do të mbajë në Ballkanin Perëndimor.
Në konferencën e përbashkët me homologen shqiptare Elisa Spiropali Wadephul tha se zemra e një shteti demokratik është drejtësia e pavarur dhe deklaroi se për këtë ka shkëmbyer opinionet me kreun e SPAK Altin Dumani dhe pas këtij takimi u bind se Struktura e Posaçme ka bërë një punë të shkëlqyer. Ministri gjerman tha se vendi i tij do të mbështesë qeverinë shqiptare në këtë aspekt me besimin se qeveria mbështet SPAK-un.
“Nëse Shqipëria vijon në rrugën që ka nisur shanset e anëtarësimit janë shumë të larta.
Një sistem drejtësie i pavarur ka rëndësi qendrore pasi është zemra e një shoqërie demokratike. Kam shkëmbyer mendimet e mia me drejtuesin e SPAK. Nëse Shqipëria arrin progres në këtë drejtim ka dhe do të ketë vlerësimin tonë. Në menaxhimin e këtyre sfidave jemi krah për krah me qeverinë shqiptare.
SPAK në këndvështrimin tim po bën një punë të shkëlqyer dhe u binda dhe një herë pas takimit me Dumanin. Kjo Strukturë merr mbështetje dhe nuk kam dyshim se qeveria i jep mbështetjen e saj kësaj strukture”, deklaroi Wadephul.