Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka zhvilluar një takim koordinues me kryetarët e bashkive dhe prefektët për masat që do të merren për situatën me motin e keq që pritet të godasë vendin në vijim.
Të pranishëm janë edhe ministri i Bujqësisë Andis Salla dhe ai i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Vengu tha se pas mbledhjes do të shkojë në veri të vendit për të koordinuar punën.
“Menjëherë pas kësaj mbledhjeje duhet të vini në dispozicion mjetet dhe ekskavatorët me krahë të gjatë brenda ditës së sotme, po ashtu edhe mjetet e kalimit të lartë.
Do të jem vetë në Shkodër pasdite dhe do të vendosim në një mbledhje elementët parandalues.
E kemi vëmendjen në fshatrat e Novoselës pasi nuk janë bërë ndërhyrje, duhet të koordinohemi.
Duhet të qëndroni në gatishmëri me qëllim komunikimin edhe në orët e vona”.
Ministri i Bujqësisë Salla tha se ai do të jetë në zonën e jugut me qëllim koordinimin e punës dhe deklaroi se mjetet e punës janë në gatishmëri.
“Ministria e bujqësisë është në gatishmëri në zonat e veriut dhe jugut sidomos në Vjosë. Do të jemi sot në Fier ku do të zhvillojmë mbledhje. Kemi në dispozicion 10 mjete me krahë të gjatë”.
I pranishëm në mbledhje Çako kërkoi gatishmëri dhe koordinim nga pushteti vendor.
“Reshjet do të përfshijnë të gjithë territorin prandaj kërkohet angazhimi i të gjitha bashkive, kemi komunikuar me bashkitë Lezhë, Pukë, Shkodër, Vau i Dejës dhe duhet të kenë gatishmëri të plotë për koordinimimin institucional. Të marrin masa për njoftimin e popullatës, FA, Policia, ajrrfikësit janë në gatishmëri të plotë.
Kjo nuk është as situata e parë dhe as e fundit”, tha Çako.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku tha se parapërgatitja ka shumë rëndësi edhe në informimin e popullatës dhe kërkoi nga pushteti vendor marrjen e masave pasi situata e reshjeve do të zgjasë 48 orë.
“Parapërgatitja është gjysma e punës, kjo na bën të mendojmë se do të kemi pak dëme dhe popullata do të jetë e informuar. Vazhdoni dhe kërkojuni njerëzve të marrin masa pas situata është dinamike. Ngrini vëmendjen e popullatës dhe bashkërendoni situatën ne do të përdorim dhe pamjet satelitore.
Në çdo bashki do të kemi një shtab të përbashkët. Reshjet do të jenë intensive për 48 orë dhe kjo e bën të rrezikshme situatën me prurjet e lumenjve në Jug dhe Veri. Do të mbetemi në kontakt ministri i Mbrojtjes do të jetë në Veri ai i bujqësisë në zonat qendrore dhe Jugore.
Duhet të merren masa në fushën e Elbasanit dhe Rrogozhinës dhe në të gjitha zonat përreth”, tha Balluku.
Takimi koordinues/ Balluku, Vengu dhe Salla kërkojnë gatishmëri nga pushteti vendor
