Balluku e pandehur nga SPAK/ Malaj: Ndikim jo pozitiv në publik

Prof. Arben Malajn, ish-ministër i Financave, ekspert i njohur i ekonomisë ka folur lidhur me situatën aktuale politike dhe ekonomike në vendin tonë.
Gjatë një interviste, ish-ministri Arben Malaj u ndal te rasti i zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK lidhur me aferën për tenderin e Tunelit të Llogarasë. Belinda Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tenderin për Tunelin e Llogarasë.
I pyetur se si ndikon qëndrimi i ministres Balluku në detyrë gjatë hetimeve ndaj besimit publik dhe transparencës së qeverisjes, ish-ministri tha se çdo akuzë apo hetim i anëtarëve të qeverisë dhe politikanëve në përgjithësi ka një ndikim jo pozitiv në publik.
Sakaq ai theksoi se përmasat e pasojave shoqërore dhe politike i vlerëson kryeministri dhe vetë personi.
“Ky debat është etik, publik dhe politik. Në aspektin publik dhe politik, vendimmarrjet ndaj qeveritarëve në hetim i ka kryeministri i vendit. Në aspektin etik, vendimi për të dhënë apo jo dorëheqjen është individual”, u shpreh Malaj.
Pyetje: Si ndikon qëndrimi i ministres Balluku në detyrë gjatë hetimeve ndaj besimit publik dhe transparencës së qeverisjes?
Arben Malaj: Në parim çdo akuzë apo hetim i anëtarëve të qeverisë dhe politikanëve në përgjithësi ka një ndikim jo pozitiv në publik. Por përmasat e pasojave shoqërore dhe politike i vlerëson kryeministri dhe vetë personi. Ky debat është etik, publik dhe politik. Në aspektin publik dhe politik, vendimmarrjet ndaj qeveritarëve në hetim i ka kryeministri i vendit. Në aspektin etik, vendimi për të dhënë apo jo dorëheqjen është individual. Eksperiencat e vendeve të tjera me kulturë më të gjatë shtetformuese dhe institucione realisht të pavarura aplikojnë hetimin jo me arrest me burg për politikanët dhe njëkohësisht edhe për qytetarët e tyre. Rishikimi i Kodit Penal është një moment shumë i mirë dhe i rëndësishëm për të përmirësuar kuadrin ligjor drejt respektimit te parimit themelore të prezumimit të pafajësisë.