Policia Rrugore e Shkodrës ka vijuar kontrollet intensive në të gjitha akset rrugore për të parandaluar aksidentet dhe për të garantuar sigurinë rrugore.
Kontrolli është aktiv 24/7 dhe realizohet me pajisje logjistike bashkëkohore, të loguara dhe të paloguara, që shërbejnë për menaxhimin e trafikut dhe evidentimin e shkeljeve që mund të shkaktojnë aksidente ose pengojnë qarkullimin.
Gjatë dy javëve të fundit, Policia Rrugore e Shkodrës raporton se janë arrestuar 5 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 15 të tjerë për veprat penale “Drejtimi në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Përveç tyre, janë vendosur gjithsej 1981 masa administrative, duke përfshirë gjoba për mosvënien e rripit të sigurimit, mosvënien e kaskës mbrojtëse, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, tejkalim të shpejtësisë, parakalime të gabuara, ndalim apo qëndrim të gabuar dhe mosdhënie përparësie këmbësorëve.
Policia Rrugore e Shkodrës thekson se kontrollet do të vijojnë në të gjitha rrugët urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike për të përmbushur parametrat e sigurisë rrugore.
Policia apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve për kujdes. “Zbatoni me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, mos kryeni parakalime të gabuara, mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur”.
Gjithashtu, qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112, në mënyrë që policia të ndërmarrë masat e nevojshme.
Rrugorja e Shkodrës me ‘dorë të hekurt’/ Arrestime shoferësh dhe vendosje gjobash
