“Kërkesa pa fund nga opozita”, Balla: Protestojnë sa herë që kanë hesape me drejtësinë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli për mediat sot më 17 nëntor, pas Konferencës së Kryetarëve, duke vënë në dukje, ritmin e lartë të kërkesave të opozitës për mocione me debat.
“Nga grupet parlamentare të opozitës ka ardhur një numër kërkesash për mocione me debat më shumë se në katër vitet e fundit. Sot na u kërkua mocion me debat për buxhetin e shtetit”.
Ai theksoi se ky buxhet është historik për vendin.“Kërkohet mocion me debat, ndërkohë që ky është buxheti më i madh në histori, që ka brenda vetes 1.8 miliard euro për politika të natyrës sociale. Ky është buxheti që parashikon rritje pagash dhe pensionesh më të madhen ndonjëherë, si dhe rritje të rimbursimeve të ilaçeve”.
Balla gjithashtu u shpreh se kërkesat janë rend dite për PD-në dhe jo për parlamentin. “Kërkesat janë rend dite i Foltores dhe jo i parlamentit. Ne rend dite në parlament këto kërkesa nuk i bëjmë”.
Ai kujtoi gjithashtu protestat e mëparshme të Partisë Demokratike. “Më 1998, kur Kuvendi i hiqte imunitetin Berishës, janë thirrur protesta. Kur Berishës i hiqej viza amerikane, PD bëri protesta. Kur drejtësia shqiptare sot e thërret si person që ka dijeni dhe kur zihet ngushtë, Berisha proteston”.
Debati për buxhetin u miratua me konsensus.