Rigels Seliman
Analisti i njohur, Kastriot Aliaj paralajmëron se fundi i epokës Berisha po troket me forcë, ndërsa drejtësia po i rikthehet dy dosjeve më të rënda të tranzicionit shqiptar. Në një reagim për gazetën “SOT”, Aliaj deklaron se hetimet për “Gërdecin” dhe “21 Janarin” po afrohen drejt një pike ku përgjegjësitë politike nuk mund të shmangen më. Ai thekson se këto çështje, të cilat prej vitesh kanë mbetur plagë të hapura, po kthehen sot në sfidën më të madhe për ish-kryeministrin Sali Berisha. Sipas Aliajt, “Gërdeci” nuk është vetëm një tragjedi kombëtare, por edhe një histori e errët ku, siç thotë ai, roli i djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzenit kërkon zbardhje të plotë nga drejtësia.
Ai nënvizon se tentativa për të “varrosur” përgjegjësitë ka dështuar, sepse faktet po rikthehen në qendër të vëmendjes publike. Po ashtu, analisti akuzon opozitën e sotme se po mbron një lidership të konsumuar, duke e mbajtur atë peng të të kaluarës. Për Aliajn, drejtësia është në prag të një momenti vendimtar që mund të ndryshojë ekuilibrat politikë në vend. Në përfundim, ai thotë se shqiptarët presin zbardhje të plotë dhe se askush nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë përballë historisë. Më poshtë po pasqyrojmë reagimin e plotë të z. Aliaj, ndërsa sqarojmë se çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
REAGIMI I PLOTË I ANALISTIT TË NJOHUR, KASTRIOT ALIAJ PËR GAZETËN “SOT”:
“Demokracia nuk ndërtohet me protesta e arrogancë politike, por me bashkëpunim dhe koordinim programesh, nga liderët e drejtimit të partive, për t’i bërë qytetarët të vetëdijshëm për ndryshimet demokratike. Por çfarë mund të thuash për këtë opozitë, që dështimet e saj njëra pas tjetrës, nuk janë vetëm statistikë por pasqyrë morale e saj. Ajo, duke mos gjetur rrugën e duhur për të analizuar dështimet, ngulmon tek opsioni i protestave si të vetmen alternativë, duke kundërshtuar me arrogancë përballjen me kundërshtarët. Këto lëvizje të saj përsëritëse, që nga vitet e sundimit të saj në krye të vendit, i kanë venitur edhe më shumë shpresat e saj, për ardhje në drejtim me arrogancë, duke i kthyer ato në akt moral.
Si do bindë qytetarët kjo opozitë, për të rimarrë drejtimin e shtetit, kur ajo nuk ka analizuar zullumet që ka lënë pas. Nuk themi se këta që po drejtojnë janë më të mirë, por të paktën nuk janë përzier në krime njerëzore, por abuzimet me detyrat e ministrave dhe kryetarët e disa bashkive, janë të shumta, ashtu siç ndodhi me aleancën PD–LSI, sot PL, kur krimi dhe korrupsioni pushtuan institucionet, që po i vuajmë edhe në ditët e sotme nga mungesa e gjykimit juridik. Kjo opozitë harron se kur ishte në drejtim, e përdori pushtetin për interes personal, partiak e klanor, në vend të zhvillimeve pasurore me interes kombëtar e demokratik. Filozofisë së drejtimit si demon të shtetit nga Sali Berisha, kur ishte në krye të tij, i shkon shumë për shtat thënia e filozofit italian Niccolò Machiavelli, i cili thoshte: “Që të qeverisësh një turmë është më mirë të jesh njerëzor se arrogant, më mirë i mëshirshëm sesa mizor.”
Retorikat e tij në parlamentin shqiptar e deri në Bruksel, si nga vetë ai dhe nga deputetët që përfaqësojnë opozitën, tingëllojnë si një ngjarje e keqe, me hedhje balte, akuza e alibi qesharake, pa përgjegjësi e përballje me realitetin e sotëm. Përfaqësuesit e saj, kur marrin fjalën në emër të votuesit të tyre në parlament, apo në forumet qendrore të BE-së, debatojnë sikur flasin me gjuhë të huaj, duke harruar se janë qytetarë shqiptarë. Liderët politikë të këtyre viteve në vazhdim, që në vitet e para të transformimeve demokratike, në vend të konstituimit të një qeverie funksionale, me përfaqësim dinjitoz të shtetit, u zhytën në pazare pushtetesh, në gara të fshehta për para, duke u mbërthyer nga projektet personale.
Dosjet e “nxehta”
Në tryezat e tyre të diskutimeve politike për progres demokratik, futeshin prona të fshehta, aksione, tendera, për kompani me prona milionëshe, të cilat po dalin nga hetimet e drejtësisë së përgjumur, e cila nuk ka mundur të analizojë dy tragjeditë unike, siç është Gërdeci dhe 21 Janari. Në tragjedinë e Gërdecit ka ndodhur akti më i turpshëm, që bie ndesh me etnotipin e kombit tonë, siç është blerja e gjakut të të rënëve nga i biri i Sali Berishës, për t’u mbyllur gojën familjeve që humbën të dashurit e tyre. Ky “helm” i heshtur i kultivuar nga drejtuesit e shtetit të deritanishëm, vazhdon të ndikojë edhe sot, ku po zbulohen shkelje nga më të pabesueshmet, në sektorët e ndryshëm si të ndërtimeve, të ekonomisë, në ato sociale, spitale, etj. Arroganca e pushteteve në këtë epokë tranzicioni, me protagonistë përfaqësues të partive kryesore, lindi nga moszbatimi i ligjshmërisë dhe vetëdijes morale, që në çdo vend demokratik në Perëndim, ato kanë në qendër si përparësi, sigurinë e shpresës dhe përgjegjësinë qytetare, që në shoqërinë tonë kanë munguar.
Partitë politike që kanë drejtuar deri tani, duke humbur misionin etik dhe moral, u shndërruan në instrumente të mbështetjes me fanatizëm të drejtuesve, fakt ky që është brenda PD-së, ku anëtarët e saj nuk janë në gjendje të shkëputen nga kryetari, i cili është gjeneza e të gjitha humbjeve politike dhe atyre lokale. Brenda partive politike mungon morali si themeli i politikës, si dhe mosnjohja dhe zbatimi i ligjit, i cili është kufiri i pakapërcyeshëm midis tyre. Kreu i PD-së nuk e njeh as tani shtetin dhe ligjin, përderisa nuk paraqitet në SPAK, me pretendime nga më banalet, se nuk ka marrë njoftim nga gjykata. Sado lart të jesh ngritur në detyra shtetërore, nuk mund të dalësh mbi ligjin, por në Shqipëri dalja mbi të është kthyer në moral, nga partitë dhe drejtuesit e tyre. Ashtu siç po ndodh me kreun e opozitës, i cili e urren drejtësinë dhe për pasojë nuk e respekton atë, duke spekuluar me institucionet që mbajnë në këmbë shtetin.
Ligji nuk është luks institucional dhe pronë e drejtësisë
Ligji nuk është luks institucional dhe pronë e drejtësisë, por themeli mbi të cilin ngrihet dinjiteti i qytetarit dhe besueshmëria tek shteti. A janë arrogancë këto qëndrime, duke i bërë karshillëk drejtësisë? Sigurisht që po, ato flasin për mungesë të vetëdijes morale, që e kanë zhveshur kreun e opozitës nga vlerat e njeriut dinjitoz, i cili nuk u bë asnjëherë i mëshirshëm, por fodull e arrogant, që edhe pse i dështuar plotësisht në rrugën e tij, vazhdon të mbajë peng opozitën. Këto parime nuk janë kërkesa morale të shoqërisë sonë, por janë standarde themelore të strukturave evropiane, ku Shqipëria kërkon të integrohet. Demokracia, o ju liderë të partive politike, nuk ndërtohet me urrejtje e përçarje, siç ka ndodhur në marrëdhëniet e deritanishme, që i ka kapërcyer edhe kufijtë e vendit deri në Bruksel, por duke bashkëpunuar për modernizmin funksional të institucioneve në shërbim të qytetarit.
Në demokraci nuk veprohet me dy standarde ligji, një si mburojë e qytetarit dhe tjetri si vegël e pushtetarit. Një shtet si Shqipëria me demokraci të brishtë, nuk mund të ecë përpara pa bashkëpunim, siç vepron Saliu, që me orkestrën e mbështetësve rrotull tij, kërkon të luajë simfoninë e vet me tela të prishur, që nuk e duartroket askush, ngaqë këta liderë që kanë drejtuar deri tani u ka perënduar ylli. Brezi i ri që po rritet brenda partive politike, nuk mund të pajtohet me praktikat e tyre të deritanishme, të cilat janë përshkruar nga autoritarizmi dhe arroganca e trashëguar.
Koha që po jetojmë, e mbushur me ngjarje dramatike, kërkon përgjegjësi për të ndërtuar formacione partiake serioze, me autoritet e prestigj të besueshëm për qytetarët. Brezi i ri që do të jetë trashëgimtar i institucioneve bashkëkohore, nuk mund të pajtohet me gjithçka që kontraston me të ardhmen e tij. Ata i kërkojnë drejtësisë që dëshmitë e së keqes, të lëna në heshtje për mungesë gjykimi, të mos u mbeten barrë në rrugëtimin evropian. E ardhmja e këtij brezi do të lërë pas të keqen e këtyre viteve, sepse ajo nuk do të karakterizohet nga demonizmi dhe arroganca, por nga urtësia, guximi dhe vetëdijësimi, për të arritur standardet e shoqërisë evropiane, duke çuar në vend amanetin e lëvizjes ‘liri-demokraci’”, shprehet analisti i njohur, Kastriot Aliaj për gazetën “SOT”.
Fundi i epokës “Berisha” po troket, analisti tregon dy dosjet që do të fundosin ish-kryeministrin dhe zbulon lojën…
