“Smart City” grabitje spektakolare, ja si Edi Rama po ua jep kinezëve pa tender nëpërmjet arabëve privatësinë e…

Kryeministri Edi Rama u kap nga kamerat rrugëve të Romës duke shpërthyer në telefon ndaj vartësve të tij për një çështje që rezulton shumë më e rëndë sesa duket në pamje të parë. “Lëre grupin… ti! Po të flas ty! A je ti bashkëkryetar? Atëherë për çfarë je? Na keni kthyer një vit pas…”, dëgjohet Rama, i irrituar, teksa kërkon llogari për “zvarritjen e procedurave”. Burime të gazetës “Sot” pohojnë se telefonata dyshohet se ishte me një nga personat përgjegjës për avancimin e procedurave të projektit “Smart City” pas ankesave të Mirlinda Karçanajt të AKSHI-t për zvarritje. Por pse ky nervozizëm i kryeministrit? Pse kjo ngutje? Përgjigjja gjendet te mënyra si është ndërtuar skema. Një projekt që po shtyhet për të hyrë në fuqi pa transparencë, pa tender, me kosto të dyfishuar, i financuar me hua të shtrenjtë, dhe mbi të gjitha  me rreziqe të rënda për privatësinë dhe sigurinë kombëtare. Për të gjitha këto gazeta do të flasë me detaje edhe në artikujt në vijim, pasi skandali është dhe më i madh.
Plani i Ramës
Pas kësaj telefonata, Edi Rama në fundjavë nisi të përdorë atentatin mafioz të vrasjes së Gilmando Danit në një prej zonave më të sigurta të vendit, pranë aeroportit të Rinasit, për ta shtyrë me urgjencë planin e tij të çmendur për ta kthyer Shqipërinë në një Big Brother, përmes projektit anti-demokratik të kontrollit dixhital të vendit. “Me projektin e ri që më në fund do të nisim ta zbatojmë pas një zvarritjeje burokratike. Projekti i monitorimit me kamera inteligjente të qyteteve dhe rrugëve kombëtare është projekt strategjik për sigurinë, pastërtinë dhe sigurinë e prindërve në shkolla. Nëse do të kishim këtë sistem në këmbë, ngjarja e Rinasit do të ishte zbardhur në kohë reale. Por nuk është problemi tek zbardhja; në momentin që sistemi ekziston, ai parandalon në mënyrë efikase të gjitha llojet e shkeljeve që lidhen me rendin, qetësinë dhe rregullat e qarkullimit. Brenda këtij mandati, jo vetëm do e kemi këtë sistem, por do t’i shohim hajrit”, u shpreh Rama. Por çfarë fshihet pas Smart City”?
Marrëveshja sekrete
Një nga kritikat më të mëdha ndaj projektit “Smart City” lidhet me mungesën e konkurrencës dhe transparencës në përzgjedhjen e kompanisë zbatuese dhe mënyrën e miratimit të kontratës. Kontrata iu dha drejtpërdrejt kompanisë Presight AI nga Emiratet, pa një proces të hapur tenderimi. Kjo procedurë jo-konkurruese u mundësua nga një kuadër i posaçëm ligjor që Shqipëria ka miratuar për investimet strategjike me Emiratet e Bashkuara Arabe. Konkretisht, në vitin 2020 Kuvendi miratoi një ligj që përjashton kompanitë emiratas nga procedurat standarde të prokurimit publik, duke lejuar që marrëveshjet me to të bëhen me përzgjedhje direkte. Ky precedent ishte aplikuar më herët në projektin e Portit të Durrësit (zhvilluar nga kompania Emaar e Mohamed Alabbar) dhe tashmë u ndoq edhe për “Smart City”.
Detajet
Në një ceremoni zyrtare në Abu Dhabi në prill 2024, ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nënshkroi memorandumin e mirëkuptimit me kompaninë ‘Presight AI‘ – pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. “Ky projekt nuk është vetëm një investim në teknologji, por një investim në sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë,” deklaroi Balla pas nënshkrimit të memorandumit. Marrëveshja parashikon instalimin e një rrjeti të avancuar kamerash dhe radarësh në qytetet kryesore të Shqipërisë, që premton të rrisë sigurinë publike dhe të transformojë menaxhimin e trafikut përmes teknologjive bashkohore, përfshirë inteligjencën artificiale. Megjithatë, marrëveshja e klasifikuar si sekrete nga qeveria shqiptare, ka ngjallur shqetësime midis aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe ekspertëve të privatësisë, të cilët paralajmërojnë për potencialin e abuzimit dhe mungesën e transparencës në projektet e këtij lloji. Përfshirja e kompanisë ‘Presight AI’, pjesë e grupit ‘G42′ që po përballet me akuza për lidhje me qeverinë kineze dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, i ka shtuar këto shqetësime dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e të dhënave personale dhe sovranitetin e informacionit që do të mblidhet nga sistemi.
Lidhjet me kinezët
Kompania Presight AI, ndonëse e bazuar në Abu Dhabi, është pjesë e grupit G42, i cili në të kaluarën ka pasur bashkëpunime teknologjike me kompani kineze (si Huawei) dhe është akuzuar për lidhje me inteligjencën kineze. Ligjvënës amerikanë shprehën rezerva lidhur me partneritetin me Presight AI, duke e konsideruar një rrezik të mundshëm për sigurinë pasi teknologjia kineze e implikuar mund të ekspozojë sistemet survejuese ndaj ndërhyrjes ose spiunazhit nga palë të treta. Edhe pse qeveria shqiptare ka siguruar se të dhënat do të jenë nën kontroll të plotë të palës shqiptare, natyra ndërvepruese e sistemeve moderne (cloud, update software nga kompania amë) krijon varësi nga kontraktori i huaj.
Nëse Presight (apo partnerët e tij harduerikë) do të kishte një “derë të pasme” në sistem, kjo do të cenonte rëndë sovranitetin e informacionit. Në rastin më të keq, të dhënat sensitive të qytetarëve shqiptarë (lëvizjet, targat e makinave, fytyrat e kapura nga kamerat) mund të përfundojnë në duar të shteteve jo-mike. Këto frikëra janë artikuluar nga ekspertë perëndimorë dhe përfaqësues diplomatikë, sidomos në sfondin e tensioneve SHBA-Kinë për teknologjinë 5G dhe survejimin elektronik. Presight AI dhe qeveria e EBA kanë mohuar çdo ndikim kinez në projekt, duke deklaruar se AI dhe platformat e tyre janë “të besueshme dhe etike”. Gjithsesi, skepticizmi mbetet dhe varet nga mënyra si projekti do të implementohet e monitorohet realisht për të qetësuar këto shqetësime.