Partia Demokratike duket se është përfshirë sërish nga një valë trazirash, pas një lëvizjeje të papritur dhe dramatike të kryedemokratit Sali Berisha. Pas një periudhe tensionesh të akumuluara dhe hamendësimesh të pafundme, Berisha ka përmbysur plotësisht qëndrimin e tij ndaj çështjes “Balluku”. Fillimisht, ai kishte urdhëruar të gjitha strukturat e PD-së të mos organizonin protesta dhe të mos sulmonin publikisht zv/kryeministren Belinda Balluku, duke argumentuar se ajo ishte nën hetim nga SPAK dhe se çdo sulm duhej përqendruar tek Edi Rama. Madje ishte paralajmëruar se kushdo që devijonte nga kjo linjë do të konsiderohej “jashtë vijës së partisë”. Por, për habinë e shumëkujt, Berisha vetëm pak ditë më vonë shpalli nisjen e protestave të reja dhe prezantoi “Platformën e Rezistencës”, që do të vendoset përballë Kryeministrisë.
Demokratët do të zhvillojnë sot pasdite protestën e parë, duke sinjalizuar një rikthim agresiv në skenën publike. Burime të brendshme pohojnë se ndryshimi erdhi pasi znj. Balluku dyshohet se refuzoi kryedemokratin për “pazare” dhe pas debateve të zjarrta në kryesi dhe pas një presioni të fortë nga baza, e cila kërkonte një reagim të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me tunelin e Llogarasë. “Do të flasim aty ku janë ata. Përballë Ramës, përballë Ballukut, në zemër të aferave”, mësohet të ketë deklaruar Berisha, me tone të ashpra.
Ky pozicionim i ri po interpretohet si shenjë se çdo “pazar i heshtur politik” ka marrë fund dhe se Berisha po rikthehet në skenë me taktikën e vjetër: protesta masive dhe presion të palodhur në rrugë. Por kthesa e fortë e liderit të PD-së ka hapur menjëherë një tjetër front: atë të përplasjeve të brendshme. Zyrtarë të rëndësishëm të partisë janë ndier të anashkaluar, ndërsa të tjerë e shohin këtë lëvizje si sinjal të lojës me dy porta të Berishës, mes izolimit gjyqësor dhe luftës politike. Në selinë blu, uji është trazuar keq, duke zbuluar krisje që kishin kohë që përtypeshin nën sipërfaqe. Ndërsa Partia Demokratike hyn në një fazë të re protestash, mbetet të shihet nëse Berisha ka rikthyer vrullin opozitar apo thjesht ka ndezur një tjetër përplasje të madhe brenda vetë kampit demokrat.
“Do ketë çdo javë”, Berisha jep detajet për protestën e sotme
Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi këtë të shtunë një bashkëbisedim në rrjetet sociale me qytetarët, duke iu përgjigjur pyetjeve të ndryshme prej tyre. Ndër të tjera, z. Berisha dha detajet sesi do të zhvillohet protesta e sotme para Kryeministrisë. Ai theksoi se do të jetë një lloj foltoreje para godinës së kryeministrisë dhe më pas në vijim do të ketë edhe protesta kombëtare të thirrura për të rrëzuar Ramën. “Protesta e ditës së hënë ka këtë karakter, që të sqaroj çdo qytetar. Ne hapim aty një foltore, një Parlament. Dmth, ju keni parë se në 10 seanca, opozita është lejuar të debatojë vetëm në 1 seancë, si kurrë në ndonjë vend pluralist, apo në historinë e këtij vendi. Atëherë ne para këtij bllokimi të plotë ne hapim foltoren parlamentare qytetare para Kryeministrisë. Një herë në javë ku deputetë dhe qytetarë do thonë zërin e tyre. Pra, ky është qëllimi i kësaj proteste. Protesta të tjera po projektohen dhe do organizohen, por ato do përgatiten dhe thirren në kohën më të përshtatshme”, deklaroi Berisha.
Reagon Boçi
Nga ana tjetër, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi tha se protesta e 17 nëntorit, është një indinjatë ndaj qeverisë Rama, pasi opozitës i është rrëmbyer çdo hapësirë kontrolli apo debati parlamentar. Gjatë një prononcimi për mediat, z. Boçi u shpreh se thirrja e protestës dhe ngritja e platformës së rezistencës, ishte momenti i duhur, pasi sipas tij, ishte kërkuar jo vetëm nga qytetarët por edhe vetë strukturat e PD. Deputeti i PD shtoi se qytetarët kanë shumë arsye për të protestuar, sepse pushteti ka hyrë në xhepat e shqiptarëve, duke i rënduar më tej ato. “Pas veprimeve të fundit ndaj qeverisë nga ana e SPAK, në kushtet kur në Parlament opozitës i është rrëmbyer çdo hapësirë kontrolluese, apo debati parlamentar, ka qenë moment i duhur, i kërkuar nga opinioni dhe PD, për të dalë në një format tjetër komunikimi me qytetarët, protesta në vetvete është një formë komunikimi.
Ka shumë arsye që kjo protestë të jetë një platformë rezistence dhe që alternohet me qëndrim politik. Kjo qeveri ka mbushur ditët, kupa është mbushur dhe duhet të largohet e të lërë hapësirë që zgjedhje demokratike. Secila prej forca ve politike të këtë opsionin që të drejtojë vendin, duke shprehur vullnetin qytetar. Ka një lloj dëshpërimi brenda strukturave e qytetarët, për mënyrën se si janë marrë zgjedhjet e si ka vijuar qeverisja. Apo dhe ikjen e njerëzve, duke shtuar edhe faktorët e sjelljes sociale të shoqërisë. Ka ndryshuar qasja ndaj protestës e politikës, për të protestuar duhet të shohësh arsye.
Ka shumë arsye për të protestuar, arsimore, menaxhimi i shëndetit, ekonomia, kufizimi i qytetarëve, si pushteti ka hyrë te xhepat e shqiptarëve, me ligjin e fundit për barazinë gjinore ka shqyer portat e familjes së tyre. Çdo qytetar duhet të vijë në një tubim e të shprehë kundërshtinë e tij. Pushteti do marrë masat, instalimi i frikës ka nisur, presioni ndaj administratës. S’është sistem demokratik, është sistem autokratik me pamje demokratike. Padrejtësitë janë bërë sa një mal dhe arsyet janë kaq të shumta sa që qytetarët në momentin e parë. Orteku ka dëshmuar se kur nis bëhet i papërballueshëm”, deklaroi dje Boçi.
Si iu kthye Berisha protestave për Ballukun që e refuzoi për pazare, përplasjet brenda selisë blu dhe loja me dy…
