Sot do të mbahet në GJKKO seanca e radhës paraprake për dosjen e “Veliaj”, me të pandehur kryebashkiakun e Tiranës, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe 28 persona e shoqëri.
Në seancën e kaluar, prokurori Altin Dumani prezantoi një material të përmbledhur prej 50 faqesh, duke kërkuar kalimin e dosjes për gjykim. Avokatja e biznesmenit Elman Abule kërkoi pushimin e çështjes, ose në alternativë gjykim të shkurtuar. Ndërsa avokatët e personave të tjerë kërkuan kohë për t’u shprehur.
Veliaj i është drejtuar GJKKO-së që t’i vihet në dispozicion një kopje fizike e dosjes që të ketë mundësi të përgatitet për mbrojtjen. Prej 9 muajsh në burg, Veliaj argumenton se nuk i është lejuar që të lexojë asnjë faqe nga dosja dhe se USB-ja që i është dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret në paraburgimin e Durrësit.
Veliaj akuzohet për një sërë veprash penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Ndërsa bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave si dhe pastrim parash. E përshirë në këtë dosje është edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Më datë 3 nëntor Kushtetuesja i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.
Dosja Veliaj në GJKKO, mbahet sot seanca e radhës paraprake ku pritet të vendoset nëse kalon apo jo për gjykim
