Berisha sot në SPAK, për masën e sigurisë për dosjen “Partizani”

Tre ditë pasi nuk u paraqit në SPAK për çështjen e 21 janarit, kreu i PD Sali Berisha pritet të shkojë sot më 17 nëntor, në Prokurorinë e Posaçme për të zbatuar masën e dhënë ndaj tij, “detyrim paraqitje”, në lidhje me dosjen e njohur si afera “Partizani”.
Në këtë hetim, Berisha figuron i pandehur së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, dhe tre të akuzuar të tjerë.
Çështja u çua për gjykim më 19 maj, ndërsa Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, me pretendimin se ka përdorur postin e kryeministrit për të miratuar ligje dhe vendime që i shërbenin interesave të Malltezit.
Nga ana tjetër, Malltezi përballet me akuza për korrupsion dhe pastrim parash, pasi sipas SPAK ka përfituar rreth 5.4 milionë euro përmes një projekti ndërtimi, të cilin prokuroria e konsideron të favorizuar nga vendimet qeveritare të asaj kohe.
Në dosje përfshihen edhe persona të tjerë. Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa Xhimi Begeja, së bashku me financieren Andia Pustina, akuzohen për pastrim parash në kuadër të aktivitetit të kompanisë “Homeplan”. Gjithashtu, për të njëjtën akuzë do të gjykohen edhe tre shoqëri: “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.