Trump bën kthesën e papritur, kërkon publikimin e dosjeve të Epstein

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka kërkuar republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve të votojnë për publikimin e plotë të dosjeve të Jeffrey Epstein, duke shënuar një kthesë të dukshme nga pozicioni i tij i mëparshëm mbi çështjen.
“Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve duhet të votojnë për publikimin e dosjeve të Epstein, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur”, shkroi Trump të dielën mbrëma në Truth Social.
Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë këtë javë mbi projektligjin që detyron Departamentin e Drejtësisë të bëjë publike të gjitha materialet jo të klasifikuara të lidhura me Epstein. Mbështetësit e ligjit thonë se ai ka gjasa të miratohet në Dhomë, ndërsa fati i tij në Senat mbetet i pasigurt.
Nëse projektligji kalon në të dyja dhomat, Trump do të duhet ta nënshkruajë.
Ligji, i quajtur Akti i Transparencës së Dosjeve Epstein, parashikon publikimin e dokumenteve, të dhënave dhe komunikimeve hetimore që lidhen me financuesin e dënuar për abuzim seksual me të mitur.
Ndryshimi i qëndrimit të Trump vjen pasi dhjetëra republikanë sinjalizuan se ishin të gatshëm të votonin pro publikimit. Përfaqësuesi republikan Thomas Massie deklaroi në ABC Neës se deri në 100 republikanë mund të mbështesin projektligjin.
Trump publikoi thirrjen e tij menjëherë pas kthimit nga Florida, duke theksuar se Departamenti i Drejtësisë ka publikuar tashmë “dhjetëra mijëra faqe mbi Epstein” dhe se po shqyrton lidhjet e figurave të njohura demokrate, përfshirë Bill Clinton, Reid Hoffman dhe Larry Summers.
Ai njoftoi gjithashtu se do t’i kërkojë Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi dhe FBI-së të hetojnë “përfshirjen dhe marrëdhënien” e Epstein me Clinton dhe persona të tjerë. Ish-presidenti Clinton ka mohuar çdo dijeni për veprimtarinë kriminale të Epstein.
Kthesa politike e Trump u nxit në pjesë nga publikimi i tre shkëmbimeve email-esh nga demokratët e Komitetit Mbikëqyrës, ku paraqiten komunikime midis Epstein dhe bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxëell, e dënuar me 20 vjet burg. Një prej email-eve përmend edhe Trumpin, me një koment të Epstein që i referohej kohës së kaluar me të në vitin 2011.
Në kundërpërgjigje, republikanët publikuan rreth 20,000 dokumente shtesë, duke akuzuar demokratët për përzgjedhje të qëllimshme dhe krijim të një “narrative të rreme” kundër Trumpit.
Pas përplasjes së dokumenteve, Dhoma e Përfaqësuesve njoftoi se javën e ardhshme do të shqyrtojë një votim për një publikim akoma më të gjerë të materialeve të lidhura me Epstein.
Në postimin e së dielës, Trump përsëriti se çështja e dosjeve Epstein po përdoret si “mashtrim politik” ndaj tij, ndërsa Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, deklaroi në Fox Neës se një votim i hapur do të ndihmonte në shuarjen e akuzave për lidhjet e Trumpit me Epstein.