Tritoli në Kamëz, gjobë 500 mijë euro pronarit, 3 persona në pranga, mes tyre ish-efektivi që shoqëroi Ervis Martinajn

Rreth orës 02:20 të mëngjesit të së shtunës, një sasi lënde plasëse i vendoset restorantit “Perla e Detit” në bulevardin “Nënë Tereza” në Kamëz. Pak sekonda më pas autori largohet me biçikletë. 24 orë më vonë policia ka vënë në pranga 3 persona, dhe një tjetër e ka shpallur në kërkim. Dy prej të dyshuarve emra të njohur për uniformat blu. Në pranga ka rënë Jeton Lami 31 vjeç, ish efektivi i policisë që ishte i fundit që u pa në shoqërinë e Ervis Martinajt para se ai të zhdukej gushtin e vitit 2022. Ish-oficeri i forcave Operacionale, u lirua nga burgu në nëntor të vitit 2023, i dënuar për ‘shpërdorim detyre’. Bashkë me të për tritolin në Kamëz janë arrestuar edhe F.Domi 30 vjeç dhe F.Mezhika 34 vjeç. Në kërkim është Ervis Lami, një person me rekorde të theksuara kriminale, i cili po ashtu në fillim të vitit u përfshi në një vrasjen e postierit Lulzim Visha, po në Kamëz, dhe ende është në arrati. Policia thotë se arsyeja e vendosjes së lëndës eksplozive që shkaktoi dëme të konsiderueshme në biznes është një gjobëvënie prej 500 000 eurosh, që autorët i kishin vendosur pronarit të godinës dhe  ky i fundit kishte refuzuar që t’ia jepte.
Detajet
Të shtunën, vetëm pak orë pas shpërthimit, që shkaktoi dëme materiale në fasadën e parme të restorantit dhe fatmirësisht nuk pati të lënduar, ata deklaruan për policinë se nuk kanë konflikte me njeri dhe nuk kanë asnjë ide se pse i ishte vendosur lënda plasëse. “Tiranë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Motivi”. Zbardhet brenda 24 orëve dhe dokumentohet, si rezultat i aplikimit të metodave proaktive, ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Kamëz, ku një biznesi iu vendos lëndë plasëse. Identifikohen 4 autorët e dyshuar. Vihen në pranga 3 prej tyre, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i informacioneve të siguruara dhe aplikimit të metodave proaktive, zbardhën dhe dokumentuan ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz.
Në kuadër të operacionit “Motivi” u vunë në pranga për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, shtetasit: -J. L., 31 vjeç, F. D., 30 vjeç, F. M., 34 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. L., 31 vjeç, të katërt banues në Kamëz. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 000 euro, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, shtetasit S. S. Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.