300 mijë vizitorë në kalanë e Gjirokastrës nga muaji janar deri tani

Kalaja e Gjirokastrës është një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe kulturore të vendit, por këtë vit deri tani ka pritur 300 mijë vizitorë. Kalaja e gurtë është një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja, që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër shprehet se kalaja e Gjirokastrës ka shënuar një arritje mbresëlënëse, duke mirëpritur 300,000 vizitorë deri në këtë moment të vitit 2025. “Kjo shifër rekord tregon qartë rritjen e pandërprerë të interesit që vizitorët vendas dhe të huaj po tregojnë për këtë monument mahnitës të trashëgimisë sonë kulturore.
Ky sukses është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm për ruajtjen, mirëadministrimin dhe promovimin e kalasë si një nga destinacionet më të rëndësishme historike në Shqipëri”, thuhet nga DRTK Gjirokastër. Çdo vizitor që ngjitet në muret e saj shekullore përjeton nga afër historinë, arkitekturën e rrallë dhe atmosferën e jashtëzakonshme, që e bëjnë këtë kala një thesar të vërtetë kulturor. Më herët në muajin korrik këtë vit pas më shumë se 30 vitesh rifilluan gërmimet arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës. Gërmimet synonin të identifikonin fazat më të hershme të ndërtimit të kalasë, duke kontribuar në pasurimin e njohurive shkencore dhe të ofertës kulturore për vizitorët. Në vijim në muajin shtator Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër prezantuan gjatë një konference shkencore rezultatet e gërmimeve të realizuara gjatë vitit 2025 në kalanë e Gjirokastrës.