Tre ditë pasi refuzoi të shkonte në SPAK për krimin shtetëror të 21 janarit, Sali Berisha do të duhet që të shkelë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në zbatim të masës “detyrim paraqitje” për aferën Partizani, ku është marrë i pandehur së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerë. Kryedemokrati pretendoi se nuk kishte marrë fletëthirrje për 21 janarin dhe sulmoi SPAK, por Prokuroria e përgenjeshtroi përmes një reagimi zyrtar, duke thënë se e kishte refuzuar dy herë. Berisha i ka bërë tashmë “traditë” sulmet ndaj SPAK dhe drejtuesit të saj, Altin Dumani. Dosja për aferën hetim kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë pasi në kohën kur ishte kryeministër ka ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore nga të cilat, sipas SPAK, ka përfituar edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, në projektin për ndërtimin e 19 kullave në truallin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
…
Në GJKKO do të zhvillohet sot seanca paraprake për dosjen e Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe nënës së saj Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku. Më 11 nëntor seanca u shty për shkak të kërkesës së avokatit të Metës, Kujtim Cakrani për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja. Avokati, i cili braktisi seancën, tha se së pari gjykata duhet të shprehet për këtë kërkesë të bërë më herët prej tyre. Sipas tij, gjyqtarja Gjoka është në konflikt interesi pasi po hetohet nga SPAK për akuzat e ngritura më herët nga Sali Berisha se ka fshehur një dënim për falsifikim dokumentesh në Greqi. Mbrojtësi i Metës kërkoi gjithashtu që dosja të kthehet për hetim në SPAK, duke argumentuar se Prokuroria e Posaçme ka shkelur procedurën duke dërguar një provë të re që lidhet me pagesat për lobimin e LSI-së në SHBA, ndërkohë që hetimet i ka mbyllur që më 28 korrik dhe e ka çuar dosjen për gjykim. Një kërkesë të tillë e bëri me dije edhe Monika Kryemadhi pas daljes nga gjykata duke pretenduar se nuk ka prova të reja të ardhura nga SHBA, por se bëhet fjalë thjesht për kthimin e përgjigjes lidhur me letërporosinë që u bë një vit më parë nga SPAK.Provat e reja të ardhura nga SHBA u paraqitën nga SPAK në seancën e kaluar të seancës paraprake. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Meta ndodhet në burg që prej tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje.
….
Sot do të mbahet në GJKKO seanca e radhës paraprake për dosjen e “Veliaj”, me të pandehur kryebashkiakun e Tiranës, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe 28 persona e shoqëri. Në seancën e kaluar, prokurori Altin Dumani prezantoi një material të përmbledhur prej 50 faqesh, duke kërkuar kalimin e dosjes për gjykim. Avokatja e biznesmenit Elman Abule kërkoi pushimin e çështjes, ose në alternativë gjykim të shkurtuar. Ndërsa avokatët e personave të tjerë kërkuan kohë për t’u shprehur. Veliaj i është drejtuar GJKKO-së që t’i vihet në dispozicion një kopje fizike e dosjes që të ketë mundësi të përgatitet për mbrojtjen. Prej 9 muajsh në burg, Veliaj argumenton se nuk i është lejuar që të lexojë asnjë faqe nga dosja dhe se USB-ja që i është dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret në paraburgimin e Durrësit. Veliaj akuzohet për një sërë veprash penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Ndërsa bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave si dhe pastrim parash. E përshirë në këtë dosje është edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Më datë 3 nëntor Kushtetuesja i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.
Dite e vecante sot per Berishen, Meten dhe Erion Veliajn…
