Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka deklaruar se do të dëshironte të shihte më shumë presion ndërkombëtar ndaj Serbisë, me qëllim që ajo të ndalë shfrytëzimin e situatës së tensionuar në veri të Kosovës për qëllime të dëmshme. Megjithatë, ai vlerëson se një presion i tillë ka pak gjasa të sjellë ndryshime thelbësore.
Sipas Serwerit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka zgjedhur të mos jetë lideri që do të normalizojë marrëdhëniet me një Kosovë të pavarur, e aq më pak të njohë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.
“Për këtë do të nevojitet një president tjetër në Beograd”, ka thënë ai për Kallxo.com.
Duke folur për Kosovën, Serwer thekson se Bashkimi Evropian duhet të shtojë presionin që vendi të përqendrohet në integrimin e komunitetit serb dhe ofrimin e trajtimit të barabartë për ta.
“Nuk njoh shumë kosovarë shqiptarë që nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është kjo, por ta bësh në praktikë është shumë më e vështirë sesa ta thuash”, ka shtuar ai.
Sa i përket zhvillimeve globale, Serwer potencon se Kosova dhe Serbia aktualisht janë larg listës së prioriteteve të SHBA-së dhe BE-së.
“Nëse do të bëhet ndonjë përparim, do të duhen njerëz në Beograd dhe në Prishtinë që e dëshirojnë atë”, ka përfunduar ai.
