“Dhoma”, një autoportret nga artistja meksikane Frida Kahlo, do të dalë në ankand në Sotheby’s më 20 nëntor në Nju Jork dhe ka një shans të fortë për t’u bërë vepra e artit më e shtrenjtë e pikturuar nga një grua.
Një autoportret i vitit 1940, në të cilin ajo shfaqet duke fjetur në një shtrat mbi të cilin varet një skelet i madh, u prezantua të premten në Nju Jork dhe u vlerësua me një vlerë midis 40 dhe 60 milionë dollarësh, raporton sot “Figaro”.
Piktura u zbulua në hapësirën e re kryesore të Sotheby’s në Nju Jork, në ndërtesën moderniste Brewer të Manhattanit, e cila ka qenë prej kohësh muze, dhe do të rihapet për publikun duke filluar nga e shtuna.
Autoportreti i Frida Kahlo-s është një pikturë shumë personale, në të cilën motivet folklorike të kulturës meksikane kombinohen me surrealizmin evropian, megjithëse artistja meksikane, e cila vdiq në vitin 1954 në moshën 47 vjeç, nuk pajtohej plotësisht me faktin se vepra e saj shoqërohet me surrealizmin.
Skeleti i madh i paraqitur sipër shtratit nuk është imagjinar – Frida Kahlo në fakt kishte një objekt të ngjashëm letre sipër shtratit të saj, sipas Sotheby’s.
Rekordi i mëparshëm për një pikturë të Frida Kahlo-s mbahej nga autoportreti i saj i vitit 1949, “Diego dhe unë”, i cili u shit në Nju Jork për 34.4 milionë dollarë.
Piktura më e shtrenjtë nga një artiste femër deri më sot është një vepër e vitit 1932 nga artistja amerikane Georgia O’Keefe, e cila u shit për 44.4 milionë dollarë në vitin 2014.
