Mediat kanadeze alarm për investimet e Luftar Hysës. Po te ne?

Mediat kanadeze alarm për investimet e Luftar Hysës. Po te ne?
La Presse dhe Le quotidien du Quebec raportojnë për bllokimin e kazinosë të njeriut që takoi Ramën për të hapur edhe në Vlorë një të tillë
Emri i Luftar Hysës po lakohet ne mediat frankofone te Kanadasë, për të njëjtin aktivitet për të cilin ai kërkoi ndihmën e Edi Ramës në Shqipëri, rrezikun e pastrimit të parave përmes biznesit të kazinove. Edhe “La Presse” edhe “Le Quotidein du Montreal” i kanë kushtuar shkrime shqiptaro- kanadezit, që sot jeton në Meksikë, pasi qeveria amerikane njoftoi të enjten sanksione ngaqë ai dyshohet se përdorte vendet e lojërave të fatit për të pastruar paratë e pista të karteleve meksikane të drogës.
Në zonën e Kuebekut Hysaj njihet si një zhvillues kazinoje që operonte deri vitin e kaluar në rezervatin mohauk të Kahnawake, në jug të Montreallit.
“Luftar Hysa, i cili zotëron një rezidencë luksoze në Mont-Royal, është përcaktuar nga autoritetet amerikane si një “organizatë e rëndësishme kriminale transnacionale”.
Kjo do të thotë se ndalohet të kryhen transaksione me të, përndryshe pasojnë penalitete. Çdo transaksion që e përfshin dhe që kalon përmes SHBA-së do të bllokohet menjëherë.
Sipas qeverisë amerikane, Luftar Hysa, anëtarët e familjes së tij dhe bashkëpunëtorët e tyre përdorin përfshirjen e tyre në disa kazino dhe restorante në Meksikë për të pastruar paratë e trafikut të drogës. Autoritetet amerikane besojnë se grupi “operon me pëlqimin e kartelit të Sinaloas, i cili ruan kontrollin mbi një pjesë të madhe të territorit ku grupi ushtron aktivitetet” shkruan La Presse. Ndërsa “Le quotidien du Montreal” thekson: “Dy kompani të lidhura me Luftar Hysën, me bazë në Montreal, janë gjithashtu në shënjestër të veprimeve të qeverisë amerikane.
Në praktikë, të gjitha pasuritë në SHBA të organizatës që autoritetet e quajnë “Grupi i krimit të organizuar Hysa” tani janë të bllokuara, dhe u ndalohet qytetarëve amerikanë ose personave që ndodhen në territorin amerikan të bëjnë biznes me ta.
Autoritetet kanë identifikuar gjithashtu 10 kazino meksikane të operuara nga Hysa dhe grupi i tij, të cilat dyshohet se janë “përdorur prej vitesh për të lehtësuar pastrimin e parave në favor të kartelit të Sinaloas.”
Në tetor 2023, La Presse zbuloi se Policia Mbretërore Kanadeze (GRC) po hetonte praninë e Luftar Hysës, një biznesmen shqiptar i vendosur në Montreal, në kazinonë Magic Palace të Kahnaëake (foto lart).
“Çdo gjë tregon se Luftar Ali Hysa është infiltruar në rezervatin indian të Kahnaëake për të lehtësuar aktivitetet e pastrimit të parave në emër të kartelit meksikan të Sinaloas, si dhe për interesat e veta”, deklaronte asokohe një hetuese në një dëshmi nën betim në Gjykatën e Montrealit.
Disa muaj pas publikimit të artikullit, në mars 2024, gjashtë policë të Kahnaëake shkuan në kazinonë buzë rrugës 132 për ta mbyllur menjëherë atë.
Kazinoja është ende sot e mbyllur dhe Luftar Hysaj qëndron vetëm në Meksikë dhe jo më në Kanada. Pyetja mbetet, po në Shqipëri, cili është fati i investimeve të tij që u bënë me bekimin e Edi Ramës? Kryeministri e ka pohuar me gojën e tij se e priti Hysajn në zyrë për ndërtimin e një kazinoje në Vlorë. Cdo bëhet sot me këtë? Kanadaja i ka marrë masat që një vit më parë. Por tani pas sanksionimit nga departamentit të thesarit presioni është rritur. “Mesazhi ynë për ata që mbështesin kartelet është i qartë: ‘Do të mbaheni përgjegjës’”, deklaroi John K. Hurley, një zyrtar i Departamentit Amerikan të Thesarit.
Hysa i ka kundërshtuar gjithmonë pretendimet e policisë dhe ka mohuar çdo lidhje me kartelet, por kjo nuk i pengon aspak autoritetet shqiptare të investigojnë mbi pasuritë e tij.
Lapsi.al