Huliganëve rumunë u merren të gjitha simbolet e Serbisë

Huliganët rumunë janë ndalur rreth 60 kilometra larg nga Zenica, qyteti në Bosnjë-Hercegovinë, ku po zhvillohet ndeshja mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Rumanisë. 

Gjatë ditës ata u ndalën në Beograd dhe shpalosën një flamur provokues si dhe bënë thirrje në përkrahje të kriminelit të luftës, Ratko Mladiç.

Të gjithë huliganët rumunë janë kontrolluar detajisht nga policia e Bosnjë-Hercegovinës si dhe u morën të gjitha fanellat në të cilat ishte shfaqur flamuri apo emri i Serbisë, njoftojnë mediumet rumune.

Bëhet fjalë për huliganët e njëjtë që shkaktuan tensione në ndeshjet e Rumanisë me Kosovën. Mediat rumune bënë apel për të ndaluar huliganët rumunë me pankarta ku bëhej thirrje në përkrahje të kriminelit të luftës, Ratko Mlladiç Tribunali i Hagës e ka dënuar Ratko Mladiçin me burgim të përjetshëm.

Mlladiçi u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm në qershor të vitit 2021 me vendim përfundimtar për gjenocidin ndaj boshnjakëve të Srebrenicës, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë vendin gjatë luftës, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës me një fushatë bombardimesh dhe sulmesh me snajper gjatë rrethimit të qytetit, si dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.