“‘Zonja’ Balluku ka pasur një lloj dore të lirë”/ Gazetari: Në tunelin e Llogarasë janë zhdukur rreth 100 milionë euro

Gazetari Julian Hoxhaj thotë se janë vjedhur 100 mln euro në aferën korruptive të Tunelit të Llogarasë. Në një intervistë televizive, Hoxhaj thotë se Belinda Balluku përmendet si një figurë që ka pasur ‘dorë të lirë’ në menaxhimin e financave publike në disa sektorë kyç, përfshirë energjinë dhe infrastrukturën.
E për sa kohë që këto para të vjedhura nuk kthehen në arkën e shtetit, hetimet dhe dënimet e SPAK-ut janë ‘të barazvlefshme me zero’. Për qytetarin e thjeshtë që paguan taksa, drejtësia e vërtetë nuk është vetëm ndëshkimi i fajtorëve, por rikuperimi i dëmit financiar që i është shkaktuar vendit.
Shiko, është ironi e hidhur ta thuash fakt, por drita në fund të këtij tuneli për zbardhjen e korrupsionit vijon, ende të jetë larg. Pra, sa më thellë të futemi, aq më shumë kuptojmë se sa abuzime, po nuk është vetëm tuneli i Llogarasë. Zonja Balluku duket se ka pasur një lloj dore të lirë përsa i përket, përdorimit të financave publike në vepra të mëdha infrastrukturore, por jo vetëm, edhe në sektorin e energjisë, apo edhe në sektorë të tjerë që janë në varësi të saj, sepse nuk është vetëm ARSH-ja.
Më besoni që janë shumë institucione, është OSHE-ja, OSSH-ja, është KESH-i nga ana tjetër, që është sot po themi një institucion i infrastrukturës dhe energjisë. Energjisë. Është Fondi Shqiptar i Zhvillimit gjithashtu, pra, ka një seri institucionesh të cilat përfshihen në këtë histori dhe abuzimet …
Gazetari: Mos përmendim Portin e Durrësit.
Julian Hoxhaj: Ajo është një histori, një aferë, një mega aferë më vete, por që sigurisht do të duhet që SPAK të hetojë. SPAK thotë që po hetojmë, por ende deri më tani nuk kemi asnjë veprim. Dhe unë jam dhe e kam thënë dhe vijoj t’i qëndroj të njëjtit mendim që, për sa kohë dëmi kolateral financiar që u është shkaktuar qytetarëve shqiptarë nga zyrtarë të tillë nuk kthehet më mbrapsht, hetimet e SPAK janë të barazvlefshme me zero. Pra, sot askujt nuk i intereson dënimi i asnjë i asnjë zyrtari, thjesht sepse duhet ta çojmë për statistikë në burg apo në çdo lloj mase të tjera apo në çdo lloj dënimi tjetër pa kthyer pas dëmin.
Në tunelin e Llogarasë janë zhdukur rreth 100 milionë euro. Janë zhdukur!
Pra është bërë vepra publike me rreth 100 milionë euro, ndërsa 100 milionë euro të tjera të faktuara deri më tani kanë shkuar për kompanitë, janë shpërndarë si dividend, kanë shkuar për ura që nuk janë ndërtuar dhe për vepra publike të cilat u zhdukën rrugëve.
Pra, nëse këto para nuk kthehen në buxhetin e shtetit, hetimi dhe dënimi, në rastin më të mirë, nuk kanë asnjë vlerë për mua si qytetar që paguaj taksa.Sepse nesër do të na ndodhi përsëri e njëjta histori.
Dhe kjo është fatkeqësia e drejtësisë së re sot, dhe unë po ju them një detaj shumë të rëndësishëm, që pas vitit 2019, kur SPAK nisi veprimtarinë e tij, çuditërisht abuzimet me tenderët filluan të rriten. Lindën skema të reja, lindën skemat 5D, lindën skemat 5B, pra filluan kompani nga hiçi të marrin tendera publikë pa asnjë lloj eksperience, filluan të ndërtojnë, të marrin tendera për të ndërtuar, e tmerrshme.