Trump Organization në bisedime për një marrëveshje të re pasurish të paluajtshme me Arabinë Saudite

Organizata Trump po zhvillon bisedime për një marrëveshje të mundshme me një nga projektet më të mëdha shtetërore të Arabisë Saudite, sipas drejtuesit ekzekutiv të kompanisë që menaxhon zhvillimin e Diriyah.
Ky është një projekt prej 63 miliardë dollarësh i mbikëqyrur nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, raporton The New York Times.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur vijat mes diplomacisë dhe biznesit familjar të presidentit amerikan po bëhen gjithnjë e më të mjegullta. Që nga rikthimi në detyrë, familja Trump ka gjeneruar fitime të mëdha nga kriptovalutat dhe ka shitur bileta për evente private të organizuara nga vetë presidenti.
Diriyah, qendra e re e luksit saudite
Diriyah, vendlindja historike e familjes mbretërore saudite, po transformohet në një destinacion madhështor me hotele, qendra tregtare, zyra dhe rezidenca të brenduara. Sipas Jerry Inzerillo, CEO i projektit, bisedimet me Organizaten Trump janë drejt finalizimit.
“Ende asgjë e shpallur, por shumë shpejt”, tha ai për The New York Times, duke shtuar se është “vetëm çështje kohe” para nënshkrimit të marrëveshjes.
Sauditët e prezantuan projektin para Presidentit Trump gjatë vizitës së tij shtetërore në maj, duke kërkuar të zgjonin interesin e tij si zhvillues. Dhe sipas Inzerillo, strategjia funksionoi.
Vizita e Princit Mohammed në Washington
Princi i Kurorës pritet të vizitojë Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme, vizita e tij e parë në shtatë vite, ku synohet të diskutohet një marrëveshje për mbrojtjen reciproke me Washington-in, si edhe të avancohen bisedimet për transferimin e teknologjisë bërthamore amerikane drejt Arabisë Saudite.
Kjo krijon një situatë të pazakontë, ku një lider i huaj që negocion siguri kombëtare me presidentin amerikan, ndërsa është gjithashtu figurë qendrore në bisedimet e një marrëveshjeje potenciale biznesi me familjen e tij.
Një valë e re projektesh Trump në Gjirin Persik
Sipas raportimit të The New York Times, Organizata Trump ka përjetuar një rritje të ndjeshme marrëveshjesh në rajon:• Kulla Trump në Jeddah• Dy projekte të reja në Riad• Hotel dhe kullë Trump në Dubai, tashmë në fazë të avancuar• Marrëveshje për një fushë golfi në Katar, në bashkëpunim me një kompani shtetërore të pasurive të paluajtshme
Partner kyç në këto marrëveshje është Dar Global. Vetëm vitin e kaluar, Dar i ka paguar Trump Organization 21.9 milionë dollarë në tarifa licencimi, sipas deklaratave financiare.
Ndërthurja e diplomacisë me interesat familjare
Trump Organization më herët kishte deklaruar se do të ndalonte marrëveshjet e reja të huaja pas zgjedhjeve të 2016-s. Por ky zotim nuk është më në fuqi.
Në Arabinë Saudite dhe në rajon, ku familjet sunduese drejtojnë si shtetin ashtu edhe biznesin, kufijtë mes politikës dhe interesave financiare janë të turbullt, një ambient i përshtatshëm për lëvizjet e reja të familjes Trump.
Marrëdhëniet e ngushta mes Princit Mohammed dhe familjes Trump datojnë nga mandati i parë presidencial. Mbretëria saudite ka qenë gjithashtu një burim fitimprurës për familjen, nga turnetë e LIV Golf në resortet Trump, deri te investimi prej 2 miliardë dollarësh në fondin e Jared Kushner.
Diriyah, “lojëfusha më e madhe e çdo zhvilluesi”
Diriyah është një ndër projektet e pakta saudite që po ecin para me ritëm të shpejtë, në kontrast me projekte gjigante si Neom që po hasin vonesa. Janë shitur tashmë mbi 4 miliardë dollarë njësi rezidenciale, kryesisht klientëve sauditë.
Familja Trump, nga Eric deri te Donald Trump Jr., e ka shfaqur hapur interesin për këto mundësi. Vizitat e shpeshta në Riad dhe eventet financiare të mbajtura me familjen mbretërore tregojnë një marrëdhënie të konsoliduar, ku biznesi dhe diplomacia ecin krah për krah.