Terapia me qeliza staminale dhe fizioterapia robotike e ofruar nga Medicana Hospital po jep rezultat për Nexhmiun. Misioni që nisi nga studioja e “Ka Një Mesazh Për Ty” në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, sjell një tjetër lajm të bukur me përmirësimin e gjendjes së tij.
Në një video të ndarë në rrjetet sociale nga Ardit Gjebrea, është momenti i vizitës së radhës së Nexhmiut me njërin prej mjekëve të spitalit në Turqi. Nexhmiu thotë se trajtimi i specializuar ka bërë që t’i lehtësohet gjendja e këmbëve.
Mjeku: Prej kur ke ardhur, a ke ndonjë farë diference?
Nexhmi: Kam, këmbët i kam pasur të lehta.
Mjeku: Ne jemi akoma më mirë, edhe spazmat që ke pasur janë çliruar.
Mjeku i shpjegon se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre javëve duke përforcuar shpresat se e ardhmja e Nexhmiut do të jetë edhe më e mirë.
Mjeku: Kur erdhe herën e parë, këto këmbët ishin të ngjitura. Tani janë hapur dhe do të jesh akoma më mirë. Në një periudhë shumë të mirë po sheh përmirësim, akoma më mirë do të bëhesh.
Në videon e shpërndarë, Gjebrea shkruan se ky rrugëtim është veç fillimi, ndërsa falënderon të gjithë ata që po kontribuojnë financiarisht për Nexhmiun.
“Nuk ka nevojë për fjalë, flasin veprat! Por ky është veç fillimi i një rruge të gjatë dhe të përjetshme. Nexhmi – jemi me ty! Jemi mirënjohës për të gjithë ju që kontribuoni në GoFund për Nexhmi Hamzallarin!”
