Nga Julia Vrapi
Dokumentimi i historisë së novelës grafike dhe karikaturës shqiptare ka qenë një punë kërkimore , që ka vijuar për disa vite. “Historia e novelës grafike dhe e karikaturës shqiptare” shtjellon të gjithë gjurmën zhvillimore të tyre nga fillesat deri në ditët tona. Një punë kërkimore nga studiuesi Oltsen Gripshi, ku gjatë prezantimit të këtij studimi shkencor u hap dhe ekspozita me disa prej revistave më të njohura të para viteve ’90-të në vendin tonë si: “Yllkat”, “Fatosi”, “Pionieri”, “Hosteni” dhe “Ylli”. Këto botime para viteve 1990-të që u ekspozuan në mjediset e bibliotekës së qytetit të Durrësit gjithashtu kanë shërbyer edhe si bazë dokumentare për këtë studim nga Gripshi. Në vijim të aktivitetit të tij, pas disa vitesh kërkime, studiuesi Oltsen Gripshi prezantohet me këtë studim të botuar mbi zhvillimin e novelës grafike dhe karikaturës shqiptare.
Vetë autori ka shprehur se qëllimi i tij ka qenë që të dokumentoj historinë e novelës grafike dhe karikaturës shqiptare, që shpesh ka mbetur e pazbuluar dhe nënvlerësuar, por lexuesi këtu merr një informacion më të zgjeruar për këto dy zhanre. Sipas tij, me leximin e këtij studimi, brezat që u lindën, u rritën dhe u edukuan gjatë realizmit socialist në Shqipëri, do të kthehen pas në kohë, në kujtesën e tyre; ndërsa brezat e rinj që u lindën në fund të viteve ’80 dhe atyre pas vitit ’90, do të njihen me rrugëtimin mbresëlënës të këtyre dy zhanreve artistike. Ph. D. Gripshi thotë se duke shfletuar, do të zbulojnë faqe të tëra të historisë së edukimit të shumë brezave, pas vitit 1945 deri në vitin 1990 dhe do të takohen me personazhet e shumtë, që do t’i mbartin gjatë në kujtesën e tyre. Kjo, sepse siç e thekson edhe vetë ai: “Novela grafike shqiptare është një rrëfim pamor i ndarë në skena, ku e kaluara mitike e ngarkuar me dogmat e realizmit socialist takohet me të tashmen që kërkon një personazh të ri për të mishëruar stereotipin shqiptar.
Këto dy kohë përplasen pa fjalë të tepërta, sepse pas skenës së fundit, aty ku përfundon rrëfimi, nis heshtja që lexuesi do të duhet ta mbushë vetë”. Oltsen Gripshi është autori i disa monografive shkencore të piktorëve më të shquar shqiptar, i një mori studimesh dhe konferencash shkencore ndërkombëtare të botuara brenda dhe jashtë Shqipërisë. Sa i takon studimit “Historia e novelës grafike dhe e karikaturës shqiptare”, ai thotë se ky kërkim shkencor shtjellon të gjithë gjurmën zhvillimore të zhanrit të novelës grafike dhe karikaturës shqiptare, nga fillesat deri në ditët tona. Hulumtimi shtrihet në kohë dhe si i atillë, është shumë përmasor, duke e ndarë në tre boshte qendrore.
Puna kërkimore
Në pjesën e parë të studimit shtjellohen çështje të ndryshme të zanafillës së novelës grafike botërore me të gjitha veçoritë e saj, përfshirë këtu shumë autorë të huaj që kanë trajtuar Shqipërinë dhe shqiptarët në novelat grafike dhe karikaturat e tyre. Pjesa e dytë përqendrohet tërësisht në lindjen dhe zhvillimin e novelës grafike dhe karikaturës shqiptare gjatë periudhës së Realizmit Socialist në Shqipëri. Periudhë gjatë së cilës themelohen revistat e para pas ’45 si: “Hosteni”, “Fatosi”, “Pionieri”, “Yllkat” dhe “Ylli”, të cilat vijnë sot si dëshmia më e gjallë e kultivimit të këtyre dy zhanreve, sa artistikë, aq dhe mbresëlënës në krijimin e personazheve vizatimorë e humoristikë në Shqipëri. Ndërsa pjesa e tretë në këtë studim të Ph. D. Oltsen Gripshit trajton novelën grafike bashkëkohore shqiptare pas viteve ’90, duke analizuar nëpërmjet saj një sërë aspektesh fenomeno-antropologjike, si dhe rizgjimin e interesit për pasqyrimin e legjendave shqiptare.
Sipas Gripshit rol në theksimin dhe promovimin e këtyre legjendave në zhanrin artistik të novelës grafike luajti Ministria e Kulturës e Shqipërisë, e cila në 2014 themeloi konkursin e parë kombëtar të novelës grafike pas viteve ’90, periudhë e karakterizuar nga ndryshime të thella politike dhe shoqërore. Oltsen Gripshi është artist, eseist, estete, kurator ekspozitash, historian dhe kritik arti. Përpos aktivitetit si artist i artit bashkëkohor me ekspozita vetjake, ai është gjithashtu një zë i rëndësishëm në studimet albanologjike, duke patur një përvojë të gjatë në kërkimin shkencor në lëmin e historisë së artit pamor shqiptar, trashëgimisë kulturore, muzeologjisë dhe shkencës së estetikës.
Oltsen Gripshi: Novela grafike shqiptare është një rrëfim pamor i ndarë në skena
