“PD, çdo javë në protestë”, Berisha: Opozita kundër Ramës, pasi ai është përgjegjësi kryesor për korrupsionin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se të hënën opozita do të protestojë para godinës së qeverisë për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku.
Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha sqaroi se Edi Rama është përgjegjësi kryesor për tunelin e Llogarasë dhe dosje të tjera që sot janë në hetim nga SPAK-u, ndaj protestat do të zhvillohen çdo javë para selisë së qeverisë.
Berisha sqaroi se tubimi i së hënës do të ketë formën e një parlamenti, ku do të flasin deputetët e PD dhe qytetarët, ndërkohë që protesta të tjera do të nisin së shpejti si e vetmja rrugë e përballjes me mazhorancën socialiste.
“Ka vetëm një përgjigje, të ngrihemi në protesta, ndryshe farsa e radhës nuk do të jetë me 52%, por do të jetë Rama me 63%”, sqaroi Berisha.
Lideri i opozitës shfrytëzoi komunikimin në rrjetet sociale për të replikuar me kryeministrin Edi Rama dhe deklaratën e tij se instalimi i kamerave inteligjente do të ndihmonte zbardhjen e atentatit në Rinas.
“Ky deklaron se na mungonin kamerat, po cilat kamerat mungonin, po se shqiptarët nga kamerat i panë ato që ndodhen”, u shpreh Berisha.
Ndërkaq, kryetari i PD, Berisha, lajmëroi se ligjin e sapomiratuar për barazinë gjinore do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të mbledhë firmat e nevojshme për ta çuar në referendum.