Nga Julia Vrapi
Artistët këtë mbrëmje në skenë me krijimtarinë muzikore të kompozitorit Nestor Kraja. Këtë mbrëmje zhvillohet koncerti recital i kompozitorit Nestor Kraja, që gjithashtu ndërthur dhe krijimtarinë e muzikës së dhomës dhe atë simfonike. Në jetën muzikore në vend veprat e kompozitorit Kraja kanë qenë herë pas here pjesë e aktiviteteve të ndryshme, por këtë mbrëmje të 15 nëntorit koncerti recital që do të zhvillohet në sallën e madhe të Universitetit të Arteve premton të jetë një mbrëmje e veçantë muzikore. Koncerti këtë mbrëmje ngjit në skenë disa nga artistët e njohur në vend, ndërsa sjell vepra që janë shkruar në vite, mes tyre edhe një vepër e re. Nestor Kraja është një ndër kompozitorët më aktivë të proceseve të reja muzikore shqiptare. Përveç aspektit krijues dhe veprat e interpretuara në rajon si dhe Gjermani, Itali, Austri, etj, profesor Nestor Kraja shquhet edhe me aktivitetin e tij shkencor, hulumtues dhe organizativ. Ndërsa programi muzikor këtë mbrëmje përmban: Kuintet Harqesh, “Prelud Kromatik” për piano, “Enigma” për piano, “Plepi” romancë, Kuartet Harqesh, “Përmes dashurisë”, Sonata për Violinë Koha II, etj. Në koncert këtë mbrëmje janë të ftuar edhe dy figura të rëndësishme të artit shqiptar në Itali. Violinistja Anyla Kraja dhe pianisti e ish pedagogu i këtij universiteti Aleksandër Gashi, që jetojnë në Itali. Të dy artistët do të përshëndesin publikun edhe me dy numra të zgjedhur nga Shopen dhe Rahmaninov. Kraja e Gashi do të interpretojnë këtë natë Kohën e parë të Sonatës për violinë të Nestor Krajës, e cila është kompozuar në dedikim të nënës së tij.
Artistë të tjerë pjesëmarrës në koncert
Në këtë koncert marrin pjesë disa artistë të njohur, ku i ftuari i nderit është tenori shqiptar Josif Gjipali, i cili ka shkëlqyer në të gjitha skenat e botës me zërin e tij. Në këtë koncert Gjipali do të interpretojë romancën “Plepi”, shkruar në vitin 1996, e cila shquhet për ndjenjat e holla dhe nostalgjinë që sugjeron si ndjenja njerëzore dhe universale. Gjipali do të shoqërohet këtë mbrëmje në piano nga pianistja Silvana Skënderi (zv.dekane e Fakultetit të Muzikës), e cila ka një jetë të pasur koncertore. Gridi Kraja ka drejtuar orkestra të ndryshme në shumë vende të Shqipërisë si dhe në disa vende Evropiane. Këtë mbrëmje ai do të drejtojë Orkestrën Simfonike për të ekzekutuar “Poemën Simfonike” të shkruar posaçërisht për të, nga kompozitori Nestor Kraja me titullin “Laokonti”. Me subjekt mitologjik vepra evokon ide dhe mesazhe të rëndësishme për kohën tonë, përmes pikturimit të figurave kontrastuese dhe të materializuara nga tingëllime të reja orkestrale. Pjesëmarrëse është edhe Nina Muho që do të hapë koncertin me pjesën vokale “Përmes dashurisë”, e cila është orkestruar dhe aranzhuar nga kompozitori dhe klarinetisti Fatos Qerimaj. Pianistja Klejda Tare do të interpretojë “Prelud Kromatik”, një pjesë shumë e vështirë, ndërtuar mbi tri nota: Mi, Re, La. Ndërsa Nikol Tuka do të ekzekutojë pjesën pianistike “Enigma” shkruar për piano solo në vitin 2007. Patricia Maria Roshka vjen nga Bukureshti-Rumani dhe këtë mbrëmje do të interpretojë Tokatën për piano. Të tjerë artistë të njohur në koncert përmendim dhe violinisti Lorenc Radovani, pjesëmarrëse është dhe Erinda Agolli, Ajola Laska e Albana Kola, Gëzim Belegu, Zyle Rexha e Arben Basha.
Koncert recital i kompozitorit Nestor Kraja, në skenë këtë mbrëmje artistët me një përmbledhje të veprave të tij
