Rigels Seliman
Kryeministri Edi Rama sqarimin e projekt-buxhetit të 2026 e vijoi dje në njësinë 2 të kryeqytetit (Tiranë), ndërsa nuk i ka kursyer “sulmet” për gjyqtarët, të cilët i ka quajtur injorantë ose të korruptuar. Kreu i qeverisë e bëri këtë deklaratë teksa po fliste për marrëveshjet pronar-ndërtues dhe hapësirat publike, ndërsa theksoi se mjaft probleme ndodhin për shkak të gjyqtarëve të këtij lloji.
“Problemi është e para për shkak se rritet popullsia në Tiranë, rritet nevoja dhe natyrisht që nevoja rritet më shpejt sesa rriten mundësitë. Tek mundësitë, problemi kryesor është çështja e hapësirave prone shtet. Hapësirat publike janë, thatë ju por janë private. Ne fatmirësisht më në fund pas një përpjekje dhjetëra vjeçare po arrimë të imponojmë hapësirën publike si një hapësirë, ku pavarësisht titullit të pronësisë, nuk mund të zaptohet, rrethohet apo të përdoret për aktivitete si rritje bagëtish në qytet, sepse deri ku ka një leje për ta shfrytëzuar, ajo hapësirë është në dispozicion të komunitetit. Kemi arritur që kur bëhet një ndërtim në një pronë, flasim për ndërtim banesash, dhe pronarët bëjnë një marrëveshje me një ndërtues, gjithçka që është rreth ndërtimit, nuk është më e pronarit dhe as e ndërtuesit, është e komunitetit.
Këto probleme të trashëguara nuk janë zgjidhur më parë dhe sot hasin vështirësi për shkak të injorancës dhe korruptimit të gjykatësve. Njëra nga të dyja ose të dyja së bashku sepse duhet të jesh o injorant ose i korruptuar që t’ia mohosh komuniteteve që të drejtën për të pasur hapësirat e tyre që iu njohin ndërtueseve një të drejtë që nuk iu takon. E di që nuk është normale që kryeministri të tregojë me gisht një gjykatës duke i treguar fotografinë dhe duke i thënë që ka bërë një akt armiqësor. Ama për mua është e rëndësishme që të gjithë ata që ankohen, që një lokal i zë rrugën për të dalë nga shtëpia, të mendoje që ai lokali atje nuk prishet sepse nuk do x apo y apo se është korruptuar inspektorati.
Kur në fakt e vërteta është se ai lokali nuk prishet se gjykatësi i ka dhënë të drejtën të rrijë aty dhe të bëjë biznes në kurriz të komunitetit. Më vjen mirë që tani gjykatësit janë më të përmbajtur. Nëse ne duam të ndërtojmë një shkollë apo kopsht, aty ku hapësira është e lirë dhe prona është private, atëherë duhet ta shpronësojmë. Nuk mund të jetë prona e pasistemuar aty për sa kohë është hapësirë publike kur pronari të marrë leje le të bëjë çfarë të dojë. dje ishte arritur shifra e 100 mijë metra katrorë të liruara nga zaptuesit. Ku po bëhen projekte përkatëse për ti kthyer në hapësira në dispozicion të komunitetit”, deklaroi dje Rama.
Kryeministri përplaset me qytetarët
Por teksa ka folur për disa nga shqetësimet e qytetarëve, ka gjetur kohë edhe të lexojë komentet që i bëjnë në “Facebook-un” e tij. Madje në një koment të pakëndshëm për të, Rama nuk hezitoi ta quante komentuesin edhe idiot. “Ca komente në Facebook e njëri ka shkruar. “Fiks si mbledhjet e xhaxhi Enverit, poshtë komunizmi’. Sa të jenë këta tipa, komunizmi do të vazhdojë të jetë në pushtet. Idiot komplet, poshtë komunizmi. Këto dëgjesa janë gjëja elementare që duhet të bëjë një forcë politike që qeveris. Këto dëgjesa në Amerikë zhvillohen normalisht.
Ajo që është e re në këtë rast, është që ne po i bëjmë këto kur ka mbaruar fushata dhe ju e dini që menjëherë pasi mbaruan zgjedhjet, deputetët kanë ardhur përsëri. Kemi një libër me mbi 2 mijë probleme për Tiranën. Filluam të punojmë për një dhatë që do të bëhej për zgjedhjet e Tiranës, por ja ku jemi pavarësisht se nuk kemi zgjedhje dhe unë nuk mendoj se është poshtë komunizmi, është rroftë demokracia. Është dhe dikush që thotë, ‘janë mbledhur të gjithë pleq e PS’. Na marrin të keqen se shife sa vajza e djem ka këtu. Kjo që shkruan e ka me Lumen, po Lumja si yll bote as nuk ka vite, as nuk dihet sa vjeç është sesi jeton”, u shpreh Rama.
Ndërtimit pa lejë
Ndërkohë kryeministri Edi Rama u ndal edhe në aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje, një aksion që tashmë ka nisur nga Farka në Tiranë. Rama tha se nuk do të lejohet asnjë metër i ndërtuar la leje, pasi do të prishet dhe hapësira do të shfrytëzohet për ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve. “Do të jemi këmbëngulës në goditjen e fenonemit të ndërtimeve pa leje, ka nisur një operacion në Farkë dhe do të vijoi metër për metër dhe çdo metër tepër, që më tepër të bëra nga një lloj babëzie për të shitur më shumë dhe shumë shtrenjtë në kurriz të qytetit nuk kanë për t’i gëzuar dot ata që i kanë bërë.
Ose do të shemben sipas rastit duke i hedhur në erë ato vilat, ose duke i shembur në mënyrë mekanike, aty do të bëhen çerdhe dhe kopshte dhe hapësira që i shfrytëzon bashkia. Unë jam besim plotë që ky mandat me këtë fuqi që na kanë dhënë njerëzit do t’i vërë vulën shumë gjërave. Duke nisur nga ulja e vendit në BE si e barabartë mes të barabartëve”, nënvizoi Rama.
Rama sulmon gjyqtarët dhe shpërthen në akuza të forta ndaj tyre, kryeministrin e “lëshojnë” nervat dhe përplaset me …
