Një sërë aktivitetesh në Tiranë, që pasqyrojnë pasurinë shpirtërore dhe krijuese të Kroacisë

Muzika, filmat dhe aktivitete të tjera në Javën Kulturore të Kroacisë. Tirana mirëpret një javë kushtuar kulturës, artit dhe traditës kroate. Java Kulturore Kroate (17-20 nëntor) vjen për herë të parë në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Publiku do të ketë mundësinë të shijojë një sërë aktivitetesh, që pasqyrojnë pasurinë shpirtërore dhe krijuese të Kroacisë. Koncerti Operistik i Miqësisë do të hapë këtë javë festive, duke bashkuar artistë të shquar kroatë dhe shqiptarë në një mbrëmje muzikore. Zëra brilantë do të ndërthuren në një program që feston miqësinë dhe harmoninë ndërkulturore. Filmi “A Blue Flower”, nën regjinë e Zrinko Ogresta, sjell në ekran një histori prekëse për jetën, kujtesën dhe reflektimin, duke ofruar një përvojë artistike për publikun shqiptar.
Dita e Kravatës, simbol i krenarisë kombëtare kroate, do të shënohet me një ekspozitë të veçantë dhe një paradë madhështore të Regjimentit të Kravatës nga Zagrebi, që do të sjellin në bulevardin kryesor të Tiranës hijeshi, solemnitet dhe traditë. Ligjërata “Ndërtimi i një Europe të Paqes: Roli i Kroacisë” nga filozofi dhe akademiku Prof. Pavo Barišić do të ofrojë një reflektim mbi rolin e Kroacisë në projektin evropian të paqes dhe bashkëpunimit. Një javë që fton publikun të zbulojë Kroacinë përmes muzikës, filmit, filozofisë dhe trashëgimisë kulturore.   Javët Kulturore Ndërkombëtare ( JKN) është një platformë e Ministrisë së Kulturës që sjell një seri eventesh. Njëzet shtete janë pjesëmarrëse në Javët Kulturore Ndërkombëtare, që këtë vit shënojnë edicionin e katërt në vendin tonë.