Në brigjet e Tahitit, zhytësit kanë vërejtur një përshtatje të habitshme tek një peshk i vogël, i quajtur bramida e Majersit (Brama myers). Ky peshk i argjendtë, me trup të sheshtë, është fotografuar duke “hipur” mbi një larvë anemone deti, të vendosur midis pendëve të tij barkore. Sipas zhytësve, peshku e përdor këtë anemonë si armë mbrojtëse, duke shfrytëzuar qelizat e saj pickuese për t’u mbrojtur nga grabitqarët.
Fenomeni nuk është unik. Në West Palm Beach të Floridës, peshq të sapodalë nga vezët janë parë duke mbajtur larva anemonash në gojë, të mbyllura me dhëmbët e tyre të mprehtë. Një peshk i tillë është vërejtur duke notuar me kujdes, pa tentuar të arratisej, dhe më pas e lëshoi anemonën e padëmtuar, duke treguar se nuk kishte ndër mend ta hante.
Marrëdhëniet simbiotike midis peshqve dhe anemonave njihen mirë, siç tregon edhe shembulli klasik i “Finding Nemo”. Anemonat helmuese ofrojnë mbrojtje, ndërsa peshqit u sjellin atyre ushqime. Por fotot e reja të botuara në Journal of Fish Biology zbulojnë se këto marrëdhënie janë më të ndryshme dhe më të thella se sa mendohej.
Sipas Rich Collins, zhytës dhe këshilltar në Florida Museum of Natural History, “disa lloje peshqish të rinj përdorin kafshë pa shtyllë kurrizore për mbrojtje, gjejnë diçka që pickon ose është e padurueshme dhe e mbajnë me vete.” Fotot janë realizuar gjatë zhytjeve të natës në ujëra të hapura, deri në 18 metra thellësi, në zonën epipelagjike ku ende depërton drita e diellit.
Ekipi pa disa lloje peshqish që mbanin në gojë larva anemonash. Këto anemone, pjesë e grupit anthozoa, përfshijnë edhe koralet dhe kanë qeliza mikroskopike helmuese që lëshojnë një fije helmues në kontakt. Goditja e një larve nuk do ta vriste grabitqarin, por do ta bënte pre që nuk ka shije të mirë, shpjegon autori kryesor i studimit, Gabriel Alfonso.
Fotot mund të përfaqësojnë një formë të re të bashkëjetesës: peshku përfiton mbrojtje, ndërsa anemona mund të shpërndahet në zona të reja. / Discover Magazine – Syri.net
