Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me akuzat që janë ngritur nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ndaj Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
I pyetur në emisionin “Top Story” lidhur me hetimin e nisur nga SPAK për nr 2 të qeverisë shqiptare, Belinda Balluku, ambasadori i BE është përgjigjur:
“Ne kemi një politikë për të mos komentuar çështjet në hetim. Sepse një nga parimet që rregullon gjyqësorin është prezumimi i pafajësisë. Pra, nuk mund të fillosh të dënosh njerëzit përpara se të kenë ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore”.
Qëndrimi i ambasadorit të BE vjen në një moment kur opozita ka shtuar sulmet në drejtim të Zëvendëskryeministres, pas akuzës së SPAK për tunelin e Llogarasë.
Një koment i tillë përfshin në fakt shumë prej rasteve kur politikanë të lartë janë nën hetime për korrupsion si Veliaj, Meta e të tjerë, dhe kur ndaj tyre po konsumohet një fushatë e vërtetë linçimi mediatik, ndërkohë që ata prezumohen ghjithashtu të pafajshëm deri në vendimin e prerë të gjykatave.
Akuzat ndaj Ballukut, Gonzato: Nuk dënohen njerëzit pa ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore
