Katër autorë janë përfshirë në atentatin mafioz pranë aeroportit të Rinasit, ku e ekzekutua Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, si edhe u plagos agjenti i Mbikëqyrjes Policore Muçi Shaljani allias Sheqeri. 40-vjeçari ka marrë 10 plumba në trup dhe aktualisht vijon të jetë i intubuar në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai ka marrë 10 plumba në trup, njëri prej të cilëve në kokë. Grupi i vrasësve gjakftohtë ishte nisur nga Nikla me makinën “Toyota Yaris” përmes rrugës së re te Ura e Tubit, e cila lidh fshatrat e Fushë Krujës me Rinasin. E njëjta u përdor edhe në kthim. Por një detaj ngre dyshime për hetuesit e Policisë së Tiranës. Në kohën që makina ka kaluar drejt aeroportit, por dhe në arratisje, zona pranë itinerarit të rrugës ka qenë pa energji elektrike. Hetuesit dyshojnë që autorët të kenë gisht, pasi kamerat e sigurisë, kishin dalë jashtë loje, pa mundur të filmojnë lëvizjen e makinës që më vonë u gjet e djegur, në një rrugicë të ngushtë në fshatin Halil. Grupi hetimor dyshon se autorët, jo vetëm që kanë patur informatorë që prisnin daljen e makinës së bardhë “Mercedes Benz” nga aeroporti, por që të kenë qenë në dijeni dhe të lëvizjeve në Spanjë, prej nga avioni ishte nisur me disa orë vonesë. Verifikim po bëhet për çdo person të dyshimtë në Rinas, brenda dhe jashtë aeroportit dhe që mund të ketë njoftuar atentatorët për lëvizjet e Danit dhe mikut të tij.
Detajet
Makina “Toyota Yaris” e autorëve, priti fiks 10 minuta pranë rrethrrotullimit, e ndaluar dhe me bllokazh. Brenda saj 3 qitës, dhe 1 tjetër në rolin e shoferit. Sapo makina e Danit që drejtohej nga miku i tij Shaljani, është afruar dhe ka qenë paralel me ta, atentatorët kanë qëlluar me breshëri plumbash nga 3 kallashnikovë të ndryshëm. Që puna e nisur të kryhej deri në fund, një prej tyre, del nga makina. Ai i afrohet derës së pasagjerit duke qëlluar me pistoletë, për t’u garantuar përfundimisht se shënjestra, Gilmando Dani, nuk kishte shpëtuar. Targat e mjetit të atentatorëve, rezultojnë të jenë vjedhur në Greqi vitin e kaluar. Hetuesit nuk kanë përcaktuar nëse makina është e vjedhur, pasi numri i shasisë nuk është rikuperuar për shkak të dëmtimit nga zjarrit. Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani (Sheqeri) u vranë sapo dolën nga Rinasi, me makinën të cilën e kishin lënë në parkimin e nëndheshëm, prej 4 ditësh. Dani, i dënuar më parë me 12 vjet për gjobëvënie, kishte lënë qelinë në tetor 2024. Dyshimet kryesore të hetuesve lidhen me një larje hesapesh, mes eksponentëve të krimit të organizuar. Atentati, qartazi është realizuar sipas një skemë të mirëstrukturuar, por se kush qëndron pas, është dhe sfida më e madhe e hetimit.
Hetimet për dinamikën e vrasjes në Rinas, rruga nga Nikla pa energji, autorët dyshohet se çaktivizuan kamerat…
