Shqiptarët punojnë më shumë se europianët, por fitojnë më pak

Shqiptarët punojnë mesatarisht 41.4 orë në javë, sipas raportit më të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (OIT).
Ky nivel e pozicionon Shqipërinë ndër vendet me orë të gjata pune, një tregues që reflekton angazhim të lartë në tregun e punës, por që njëkohësisht ngre shqetësime për balancën mes jetës profesionale dhe asaj personale, si dhe për nivelin e produktivitetit.
Në nivel global, orët mesatare të punës variojnë nga 30 deri në 54 orë në javë.Në krye të listës qëndrojnë Butani (54.5 orë), Sudani (50.8 orë) dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (48.4 orë), vende që kryesisht kanë ekonomi në zhvillim dhe mbështeten te puna manuale apo shërbimet, ku oraret e gjata janë të zakonshme.
Ndërkohë vendet e zhvilluara si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe regjistrojnë mesatarisht rreth 31 orë pune në javë, por me produktivitete shumë më të lartë. Këto vende, kryesisht ekonomi në zhvillim, karakterizohen nga puna manuale dhe aktivitetet e shërbimeve, ku oraret e gjata dhe kushtet intensive të punës janë të zakonshme.
Në rajonin e Ballkanit, Mali i Zi kryeson me 44.2 orë pune në javë, i ndjekur nga Shqipëria (41.4 orë) dhe Bosnja e Hercegovina (40.8 orë). Këto vende ndajnë një strukturë të ngjashme ekonomike, me punësim të përqendruar në sektorë si ndërtimi, turizmi dhe tregtia, ku orët e punës shpesh tejkalojnë mesataren europiane.
Raporti i OIT nënvizon se, ndonëse orët e gjata të punës mund të tregojnë përkushtim dhe nevojë për të ardhura më të larta, ato shpesh lidhen me produktivitet më të ulët dhe cilësi më të dobët të jetës.
Në këtë mënyrë, sfida për Shqipërinë dhe vendet e rajonit mbetet rritja e produktivitetit dhe përmirësimi i kushteve të punës, në mënyrë që zhvillimi ekonomik të shoqërohet me mirëqenie dhe standarde më të mira jetese.