Analisti Poli Hoxha ka komentuar këtë të martë në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, rinisjen e hetimeve për 21 janarin, çështje që tashmë i ka kaluar SPAK-ut.
Ai tha se kjo është një “patate e nxehtë” për drejtësinë shqiptare.
Sipas tij, kjo do të jetë një sfidë shumë e vështirë për drejtësinë, pasi ka kaluar shumë kohë, por duhet zbardhur, pasi është një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Kur e kapi Rama opozitën?
Hoxha: Që në 8 janar, kur filloi lufta civile në PD. Kemi parë spektakël brenda një force të madhe opozitare ca me hunj, ca nga lart e ca nga poshtë dhe policia bënte sehir. Për 21 janarin, në mendimin tim, është njëlloj ngjarjeje që politika nuk ka për të gjetur paqe. Është një ngjarje që shënjon historinë 30-vjeçare. Është thirrur zoti Basha, është thirrur zoti Berisha; në varg ke gjithë klasën politike. Do thirret Nard Ndoka, sot përkrahës i Berishës, por në atë kohë ishte në krah të Edi Ramës. Do thirret Bamir Topi, Ina Rama… Për mendimin tim kjo ka qenë një “patate e nxehtë” edhe për vetë SPAK-un. Unë të vetmen shpresë e shoh te drejtësia. Sali Berisha nuk ka empati, nuk e vë veten në vendin e një demokrati. Pasuritë e dhëndrit dhe të vajzës së tij 26-vjeçare… 21 janari do të jetë i vështirë për t’u çuar deri në fund, por ka një urdhër që duhet trajtuar si vrasje shtetërore. Duhet një hetim serioz, pasi kjo ngjarje duhet mbyllur njëherë e mirë në Shqipëri.
