A do ta bëjë Dumani “goditjen e fundit”? Kikia flet në QUO VADIS

Altin Dumani është në ditët e fundit në drejtimin e SPAK. Por a do të ketë një goditje të fortë në drejtim të politikës, si “shenjë e fundit” e tij në krye të institucionit?
Kjo ishte një nga pyetjet që u bë në studion e “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
I ftuar në studio, analisti Mentor Kikia tha se roli i Dumanit është hiperbolizuar dhe se nuk duhet të presim që drejtësia të funksionojë me fushata.

Pjesë nga biseda:
Borakaj: Muaji i fundit i Dumanit në krye të SPAK, do të ketë goditje të forta?
Kikia: Drejtësia nuk funksionon me fushata. Dumani do të largohet si drejtues, por do të vijojë të qëndrojë si prokuror.
Çështja e zotit Dumani vetë është hiperbolizuar shumë përtej asaj që është dhe asaj që mund të bëjë. Drejtuesi i SPAK është drejtues institucioni; çdo prokuror është “qeveri më vete”. Në momentin kur gjithçka qoftë arritja, qoftë dështimi i faturohet drejtuesit, i cili ka vetëm rolin menaxherial, kjo ka rrezikun të prodhojë nesër një lloj tërheqjeje. Dumani, më shumë sesa për meritat e tij, u bë figurë e njohur sepse u sulmua vazhdimisht nga Berisha e Meta. Shqiptarët, që mezi prisnin të kishin një shpresë, hiperbolizuan rolin e Dumanit.