Kikia: “Ushtarët” e krimit sot po futen në Polici, më pas emërohen në pozicione drejtuese

Gazetari Mentor Kikia ka deklaruar këtë të martë në studion e “Quo Vadis” se sot krimi i organizuar në Shqipëri ka avancuar sa i përket mënyrës se si qaset në Policinë e Shtetit.
Kikia tha, përballë moderatores Pranvera Borakaj, se krimi i organizuar po fut “ushtarët” e tij brenda strukturave të policisë dhe më pas investon për t’i emëruar ata në poste kyçe, aty ku u nevojiten më shumë.
Pjesë nga biseda:

Kikia: Si përmasë ngjarjeje, nuk është thjesht një vrasje. Ajo që mbetet për t’u parë është se çfarë bashkëpunëtorësh kanë pasur këta që kanë qenë kaq të informuar për mbërritjen e tyre në aeroport.
Borakaj: Dyshohet për një agjenci udhëtimi?
Kikia: Po, flisnim deri tani për policë të korruptuar. Por na rezulton se në çdo ngjarje kriminale ka policë të korruptuar. Sot krimi nuk lodhet ta korruptojë policin përmes parave, por investon në forma të tjera. Investon duke futur studentë në shkollën e policisë dhe më pas i emëron në poste kyçe. Ndaj, për të garantuar një vend më të sigurt, efektin e shtetit duhet ta shohim te lufta ndaj krimit të organizuar. Por lufta me krimin e organizuar nuk matet me numra viktimash, por me hetimin që i bëhet një rrjeti të tërë.