Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka reaguar në rrjetin e tij social Facebook pas atentatit mafioz të ndodhur sot pranë Aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë një personazh i njohur për drejtësinë dhe u plagos rëndë shoferi i tij, agjent i Policisë së Shtetit.
Në reagimin e tij, Gjoni thekson se Edi Rama “u ka veshur kriminelëve kostumin e biznesmenit”, duke i fuqizuar grupet kriminale që sot rrezikojnë jetën e qytetarëve të pafajshëm.
Deputeti demokrat e cilëson këtë atentat si një këmbanë të fortë alarmi për shtetin shqiptar, që, sipas tij, po rrëshqet drejt një realiteti të ngjashëm me Palermon e viteve ’80.
Reagimi i plotë:
Rama u veshi kriminelëve kostumin e biznesmenit, qytetarët në mëshirë të plumbave që derdhin bandat!
Një atentat që e ekspozon Shqipërinë si Palermon e viteve 1980 u shënua sot pranë Aeroportit të Rinasit, në Tiranë, një prej zonave që do të duhej të ishte më e sigurt në Republikën e Shqipërisë.
Një personazh i njohur i drejtësisë mbeti i vrarë, ndërsa shoferi i tij, agjent i Policisë së Shtetit, mbeti i plagosur rëndë.
Breshëritë e plumbave u derdhën në bizneset aty afër dhe rrezikuan jetën e mijëra qytetarëve.
Ky atentat është një këmbanë alarmi për rendin dhe sigurinë, që prej vitesh në Shqipëri janë në mëshirën e grupeve kriminale, të cilat Edi Rama i ka fuqizuar, duke i kthyer në biznesmenë.
Sot në Shqipëri askush nuk ka më garanci për jetën, ndaj qytetarët duhet t’i dalin zot vendit.#GG
“Atentati pranë Rinasit, si Palermo e viteve ‘80″/ Gjoni reagon ashpër: Rama u veshi kriminelëve kostumin e biznesmenit
