Kryemadhi: SPAK shkeli procedurat, letra nga SHBA zbardh gjithçka

Kryemadhi: SPAK shkeli procedurat, letra nga SHBA zbardh gjithçka
Seanca gjyqësore ndaj Monika Kryemadhit, e parashikuar të mbahej këtë të premte, është shtyrë për ditën e hënë në orën 09:00. Pas daljes nga Gjykata e Posaçme, Kryemadhi ka lëshuar akuza të forta ndaj SPAK, duke pretenduar se organi i akuzës ka shkelur procedurat hetimore dhe ka mbyllur hetimet në mënyrë të parakohshme.
Në një prononcim për mediat, Kryemadhi deklaroi se në dosje nuk ka asnjë provë të re, por vetëm përgjigjen e një letër-porosie të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas saj, ky dokument, i cili ka mbërritur më 1 tetor, vërteton se Prokuroria e Posaçme ka vepruar në kundërshtim me rregullat
Nuk ka asnjë provë të re, po përkundrazi ishte kthimi i përgjigjes së letër-porosisë që ka bërë SPAK-u. Gjë që në një farë mënyre ka treguar që prokuroria ka shkelur procedurën duke mbyllur hetimet pa, për ta çuar dosjen në gjykim, pa mbyllur hetimet,” tha ajo, duke shtuar se e vetmja arsye për këtë nxitim ishte e lidhur me Ilir Metën.
Kryemadhi bëri një paralele me çështjen “McKeon”, duke theksuar se edhe në atë rast u pretenduan pagesa fiktive, por më vonë u vërtetua e kundërta. Ajo këmbënguli se llogaritë bankare të firmës lobuese GSIS tregojnë qartë se Lëvizja Socialiste për Integrim ka paguar saktësisht aq sa ka deklaruar dhe jo shifra të tjera.
“Edhe në këtë rast, përsëri llogaritë bankare të GSIS-së tregojnë haptas që janë paguar aq para sa çka deklaruar LSI-ja,” pohoi Kryemadhi, duke ironizuar se sipas logjikës së prokurorisë, faturën për LSI-në mund ta kishte paguar edhe “dhoma e tregtisë së Meksikës”.
Duke u bazuar te dokumenti i ardhur nga SHBA, Kryemadhi konfirmoi se pala mbrojtëse do të kërkojë rikthimin e dosjes në SPAK për hetim të mëtejshëm. Ajo argumentoi se informacioni i ri zbardh përfundimisht të vërtetën dhe hedh poshtë pretendimet e prokurorisë, të cilat i cilësoi si pasojë e paaftësisë ose keqdashësisë.
Deklarata e plotë:
“Sot s’kishim, kishim vetëm një ndërhyrje nga avokati im Redi Llanaj, i cili kundërshtoi dorëzimin e letër-porosisë për të pasur një qartësi sepse në radhës së kaluar pati një informacion të gabuar për opinionin publik, ku thanë prova të reja.
Nuk ka asnjë provë të re, përkundrazi ishte kthimi i përgjigjes së letër-porosisë që ka bërë SPAK-u në nëntor të vitit 2024 dhe ka ardhur me 1 tetor. Kjo ka treguar që prokuroria ka shkelur procedurën duke mbyllur hetimet për ta çuar dosjen në gjykim, pa i mbyllur, për të vetmin shkak që dihet shumë mirë që ishte e vetmja gjë që mund ta nxirrte Ilir Metën nga burgu.
Unë që i kam marrë materialet e reja, do t’i shikojmë në seancën paraprake. Materialet e reja kanë fagma që do të nxjerrin në pah se kush janë keqdashësit ose shpërdoruesit e sabotuesit. Nuk po i quajmë falsifikatorët. Është i njëjti rast si me McKeon-in që pretendonin se janë paguar 1 milion dollarë dhe pastaj doli vërtetimi nga Amerika për herë të dytë, që është paguar 15,000 dollarë LSI-ja.
Edhe në këtë rast, llogaritë bankare të GSIS-së tregojnë që janë paguar aq para sa ka deklaruar LSI-ja. Sipas SPAK-ut mund të rezultojë që edhe dhoma e tregtisë së Meksikës ta ketë paguar faturën për LSI-në. Por sigurisht kjo dosje do të kthehet përsëri mbrapsht si në rastin e McKeon-it, gjë që do të vendosë përpara drejtësisë ose përpara zbërthimit të çështjes GSIS-në, prokurorinë e posaçme apo dikë tjetër.
Patjetër që do ta kërkojmë rikthimin, sepse vetë letër-porosia nga Shtetet e Bashkuara ka sjellë informacionin e saktë dhe zbardh njëherë e mirë se çfarë ka ndodhur me GSIS-në. Duke e lexuar me ekspertë financiarë dhe të sistemit bankar, është e faktuar që Lëvizja Socialiste për Integrim ka paguar aq fatura sa ka deklaruar dhe aq janë derdhur në llogarinë bankare të GSIS-së.
Pretendimet nga prokuroria kanë të bëjnë ose me paaftësinë e lexuesit financiar, ose me keqdashësi, ose vendosen në një pozitë të vështirë për akuzën që kanë ngritur.
Mos harroni, ky hetim ka filluar për të hetuar minierat e floririt, gradaçelat në Angli e Amerikë dhe milionat në offshore. Faktikisht po rezultojmë që kemi ngelur te heqja e mitrës së Monika Kryemadhit”.