Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar një ankim të Alqi Bllakos, ish – Sekretar i Ministrisë së Mjedisit dhe ish deputet, pasi ky i fundit hoqi dorë pasi u lirua nga burgu pak ditë më parë.
Ankimi kishte si objekt vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që lidhej me zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, të caktuar më 07.10.2023 nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më 11.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 255 akti, datë 04.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit A.B., me objekt: “Ankim kundër vendimit Nr. 646, datë 07.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar me vendimin nr. 134, datë 07.10.2023 të Gjykatës Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” dhe vendosi:
– Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri Alqi Bllako. nëpërmjet mbrojtësve të zgjedhur avokat Ilir Mustafaj dhe avokat Euart Sheko, ndaj disponimit nr. 646, datë 07.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Ndaj këtij vendimi palët kanë të drejtën e rekursit.
– T’i njoftohet kjo vendimmarrje të pandehurit z. Alqi Bllako. dhe avokatit të tij Ilir Mustafaj.
U shpall në Tiranë, me datë 11.11.2025.
Hoqi dorë nga ankimimi pasi u lirua nga burgu, apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Alqi Bllakos
