“Nga 41, në 29 vrasje”, Koçiu bën bilancin e sigurisë: Mbi 1 mijë aksidente me monopatina brenda vitit

Këtë të martë, më 11 nëntor, ministrja e Brendshme Albana Koçiu po zhvillon një seancë dëgjimore, referuar kërkesës së ¼ të deputetëve të opozitës, në lidhje me gjendjen aktuale të sigurisë publike në vend, masat e ndërmarra deri më tani nga ky dikaster dhe strukturat vartëse. Kjo seancë po zhvillohet në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Koçiu theksoi se Shqipëria është një vend i sigurt, duke sjellë në vëmendje shifrat e dukshme që tregojnë për besimin e qytetarëve dhe turistëve në vend.
“Janë 12 milionë turistë që zgjodhën të vizitojnë Shqipërinë dhe qytetarë që kanë ardhur për të ngritur biznese. Secili prej tyre është një dëshmi e qartë e besimit që ka fituar ky vend”, deklaroi ajo.
Ministrja Koçiu vuri në dukje progresin e Policisë dhe SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprave penale. Sipas saj, norma e zbulimit të veprave penale është 99%, ndërsa përmendi gjithashtu uljen e krimeve të rënda dhe vrasjeve me dashje, duke theksuar se numri i vrasjeve ka rënë nga 41 për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në 29 këtë vit.
“Kemi një 99% zbulueshmëri sa i përket veprave penale; nga 20 vepra penale, 19 zbardhen në kohë dhe ndalohen. Kemi mbi 65.5 milionë euro asete kriminale të sekuestruara nga SPAK. 0 turistë të huaj viktimë të krimeve të rënda në Shqipëri. Lajm i mirë është gjithashtu ulja e krimeve të rënda, përfshirë dhe numrin e vrasjeve me dashje: 29 vrasje këtë vit, krahasuar me 41 vrasje për të njëjtën periudhë të mëparshme. Nuk është rezultat që vjen nga lart, por rezultat i punës.”, tha ministrja e Brendshme, duke shtuar se vetëm gjatë këtij 9-mujori janë konfiskuar mbi 65.5 milionë euro asete kriminale dhe janë kryer më shumë se 1 mijë e 121 hetime proaktive në fushën e narkotikëve.
Ajo përmendi gjithashtu identifikimin dhe asgjësimin e 195 mijë bimëve narkotike dhe arrestimin e 96 personave të implikuar.
Ministrja përmendi edhe përdorimin e kapaciteteve të avancuara të Policisë dhe Ushtrisë, përfshirë dronët “Bajraktar”, për monitorimin dhe goditjen e aktiviteteve kriminale. Gjithashtu, kujtoi se vetëm pak ditë më parë, Policia zbuloi një arsenal të armatimeve dhe arrestoi përgjegjësit.
“Kemi përdorur për herë të parë kapacitetet më të avancuara të ushtrisë shqiptare, siç janë dronët ‘Bajraktar’. Bashkëpunimi është fuqizuar më tej. Sa i përket armëve të zjarrit, vetëm pak ditë më parë Policia e Shtetit zbuloi një arsenal të vërtetë luftarak dhe vendosi në pranga përgjegjësit. Vetëm gjatë periudhës së raportuar, strukturat e Policisë së Shtetit kanë zhvilluar më shumë se 1 mijë aksione për zbulimin e armëve të zjarrit. Jam e bindur që ky do të jetë një nga vitet më të suksesshme.”, tha ministrja.
Sipas ministres, përparimet e bëra pasqyrohen edhe në raportet e Komisionit Europian, i cili vlerëson përmirësimin e kapaciteteve në luftën kundër krimit dhe integrimin e Shqipërisë jashtë listave gri për pastrimin e parave dhe terrorizmin.
Koçiu: 17% aksidente më pak në 2025-ën
Numri i aksidenteve rrugore ka shënuar një ulje me 17% krahasuar me vitin 2024. Koçiu tha se për periudhën janar-shtator të vitit të kaluar ishin regjistruar 155 jetë të humbura dhe këtë vit ky numër është reduktuar po me 17%. Duke bërë një krahasim edhe me vitin 2013 ajo theksoi se numri i aksidenteve është ulur me katër herë më pak në raport edhe me numrin e makinave që qarkullojnë.
“Nga muaji janar deri në shtator 2025 edhe në këtë pikë ka një trend ulës prej 17% të aksidenteve krahasuar me të njëjtën periudhë të viti 2024. Gjatë vitit 2024 shënonim një nivel të 155 jetëve të humbura. Aktualisht kemi 17% më pak reduktim. Është një shifër që flet qartë duke llogaritur se në krahasim me vitin 2013 nëse do donim të bënim një bilanc ishin mbi 300 persona që humbnin jetën në aksidente rrugore dhe të kesh parasysh që në vitin 2013 kishim rreth 450 mijë automjete në qarkullim. Aktualisht kemi mbi 1 milion automjete në qarkullim. Kemi një reduktim  me katër herë më pak të aksidenteve rrugore në raport me numrin e automjeteve që qarkullojnë”, tha ministrja.
Një tjetër çështje shumë e diskutuar e javëve të fundit ka qenë edhe pezullimi i monopatinave. Ministrja tha se vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 1 mijë raste të aksidenteve të tyre, të cilat janë njoftuar në polici, por numri mund të jetë më i madh. Për këtë arsye, ajo u shpreh se është ndërhyrë për të ndërtuar një bazë ligjore për mënyrën si duhet të qarkullojnë këto mjete motorike.