Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka bërë dje me dije rritjen e pagave për ushtarakët në Forcat e Armatosura. Përmes një postimi në rrjetet sociale Vengu theksoi se me projektbuxhetin e vitit 2026, rritja për kategoritë Ushtari IV deri te Gjeneral Lejtnanti do të jetë +5,875 lekë. Ndër të tjera ai shtoi se kjo rritje pagash vjen, jo vetëm si pjesë e politikës së qëndrueshme dhe vendimeve të qeverisë për garantimin e kushteve më të mira të punës dhe jetesës, por edhe si një vlerësim për ata të cilët shërbejnë me përkushtim. “Më shumë vlerësim për ata që shërbejnë me përkushtim. Rritja e pagave për ushtarakët në Forcat e Armatosura është pjesë e politikës së qëndrueshme dhe vendimeve të Qeverisë Shqiptare për të garantuar kushte më të mira pune dhe jetese. Me Projektbuxhetin 2026, pagat përfshijnë rritje që shkon deri në +5,875 lekë, nga Ushtari IV deri te Gjeneral Lejtnanti, së bashku me shtesa për kushte pune dhe trajtim ushqimor”, shkruan ministri Vengu në “Facebook”.
Si pritet të rriten pagat për ushtarakët:
Ushtar IV: + 2 mijë e 13 lekë dhe shtesa plus shtesa për kushte pune dhe trajtim ushqimor.
Tetar: + 2 mijë e 63 lekë plus shtesa për kushte pune dhe trajtim ushqimor
Kryekapter: + 2 mijë e 400 lekë plus shtesa për kushte pune dhe trajtim ushqimor
Oficerë/Major: +2 mijë e 963 mijë lekë plus shtesa për kushte pune dhe trajtim ushqimor
Oficerë/Nënkolonel: + 3 mijë e 488 lekë plus shtesa për kushte pune dhe trajtim ushqimor
Oficerë/Kolonel: + 4 mijë e 88 lekë plus shtesa për kushte pune dhe trajtim ushqimor
Oficerë të lartë, Gjeneral Brigade: + 4 mijë e 750 lekë plus shtesa për kushte pune dhe trajtim ushqimor
Oficerë të lartë, Gjeneral Lejtnant: + 5 mijë e 875 lekë plus shtesa për kushte pune dhe trajtim ushqimor
Ministri i Financave flet për pagat
Ndërkohë gati 100 milionë euro janë parashikuar në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm për rritjen e pagave në administratën qendrore dhe vendore. Ministri i Financave, Petrit Malaj zbuloi në Komisionin e Ekonomisë se do të jenë 144 mijë punonjës që do të përfitojnë. “Kostoja e përgjithshme e këtyre ndërhyrjeve në paga, përfshirë edhe rritjen e pagës minimale dhe indeksimin periodik, është vlerësuar në rreth 10 miliardë lekë dhe prek mbi 144.000 punonjës në administratën qendrore dhe vendore. Në tërësi ky buxhet përfaqëson një balancë të qëndrueshme midis politikave sociale dhe disiplinës fiskale, duke krijuar hapësirë reale për zhvillim, drejtësi sociale dhe përmirësim të standardeve të jetesës”, tha Malaj. Malaj dha edhe disa shembuj se si do të rriten pagat për kategori të caktuara nga mësuesit tek bluzat e bardha.
“Pagat e mësuesit të shkollës nëntëvjeçare do të rriten me 3000 lekë në muaj duke e çuar pagën mesatare bruto të këtyre mësuesve nga 96300 lekë në muaj në rreth 100000 lekë në muaj. Paga mesatare bruto, e mjekut të përgjithshëm, me rritjen e parashikuar, do të arrijë në rreth 143,446 lekë në muaj, ndërsa ajo e infermierëve do të arrijë në 92,526 lekë në muaj. Paga bruto mesatare në administratën publike, për punonjësit buxhetorë në vitin 2026 do të shkojë rreth 112,000 lekë në muaj”, tha Malaj. Për herë të parë në vitin e ardhshëm pagat e administratës publike do të indeksohen me 2.5%, për të kompensuar rritjen e inflacionit. Qeveria pret që indeksimi i pagave me normën e inflacionit të ndiqet edhe nga privati.
A do ketë bonus fundviti për pensionistët në 2026?
Nga ana tjetër, dje në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë për projektbuxhetin e vitit 2026, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, pyeti ministrin e Ekonomisë, Petrit Malaj, nëse pensionistët do të marrin bonus në fundvitin që vjen. Z. Malaj theksoi se diçka e tillë nuk parashikohet në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, por theksoi se përcaktuese për bonusin e dhjetorit 2026 do të jetë rritja ekonomike e vendit. “Në varësi të rritjes ekonomike do të vendosim nëse do të japim bonus fundviti në vitin 2026. Në projektbuxhet nuk është parashikuar, por me akt normativ në varësi të rritjes ekonomike do japim bonusin”, deklaroi dje Malaj.
