Gara për kreun e ri të SPAK, pas zyrtarit të lartë të DASH edhe përfaqësuesit e BE “zbarkojnë” në Prokurorinë e…

Ndërkombëtarët po mbikëqyrin çdo sekondë që ikën dhe çdo lëvizje për procesin nga gara për kreun e ri të SPAK. Përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë kanë zhvilluar takime informale me kandidatët për drejtues të Prokurorisë së Posaçme. Dy përfaqësues të BE-së takuan secilin nga kandidatët veçmas në ambientet e SPAK, duke i pyetur ata për platformën dhe nëse kanë rezerva për procesin. Bisedat janë kryer në zyrat e prokurorëve kandidatë, Klodian Braho, Elvin Gokaj, Adnan Xholi dhe Doloreza Musabelliu. Ky takim informal vjen pas disa takimeve të ndërkombëtarëve pranë KLP, të cilët janë pyetur nëse ka probleme procesi i garës për në SPAK dhe nëse kanë pasur influencë apo “kërcënime”. Anëtarët e KLP kanë mbajtur tre mbledhje për të caktuar datën se kur do të thirren për intervistë katër kandidatët dhe megjithëse ka tre data në diskutim që janë brenda javës së parë të dhjetorit, jo zyrtarisht shikohet si datë e mundshme data 4 dhjetor por asnjë nga kandidatët nuk është njoftuar ende.
SHBA “sy e veshë” te SPAK
Në të njëjtën linjë me Brukselin, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë zhvilluar vizita pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe në zyrat e SPAK që prej muajit shtator, kur u hap gara për drejtimin e institucionit. Megjithëse zyrtarisht vizitat janë prezantuar si takime kortezie, mesazhi i tyre është i qartë: kërkohet transparencë maksimale, integritet dhe distancë nga çdo ndikim politik në përzgjedhjen e drejtuesit të ri. Një prej përfaqësuesve të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) ishte pak ditw mw parë në Tiranë duke tërhur vëmendjen e opinionit politik dhe diplomatik. Në qendër të agjendës të Zëvendës ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Mark Fleming ishte një takim special me kreun e SPAK, Altin Dumani, si dhe me prokurorin e posaçëm Klodian Braho.
Ai nuk pranoi të takohej me kryeministrin Edi Rama apo me kryetarin e opozitës, ish-kryeministrin Sali Berisha.  Kujtojmë se Dumani rrëfeu së fundmi kërcënimet dhe presionet që ushtrohen ndaj prokurorëve të SPAK, përfshirë edhe drejtuesit e institucionit: “Kërcënimet janë të shpeshta, përfshirë kërcënime ndaj familjarëve, telefonata kërcënuese dhe deri tek plane për atentate. Krimi i organizuar është shumë i sofistikuar.” Ai theksoi se edhe politika ka shfaqur forma presioni përmes retorikës publike dhe sulmeve ndaj emrave të prokurorëve dhe familjarëve të tyre, por shtoi se stafi i SPAK është i përgatitur për t’i përballuar këto sfida. “Pavarësisht kërcënimeve dhe sulmeve, prokurorët e SPAK kanë pjekurinë dhe maturinë e duhur për t’i përballuar. Por ky është një realitet i vështirë që nuk mund të anashkalohet,” shtoi Dumani.
Detajet
4 kandidatët për Kreun e SPAK janë Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho dhe Elvin Gokaj. Altin Dumani është zgjedhur në krye të SPAK më 18 dhjetor 2022 dhe është prokurori i dytë që ka drejtuar SPAK që nga themelimi i Strukturës së Posaçme, pas Arben Krajës. Mandati i kryeprokurorit është 3-vjeçar dhe pa të drejtë rikandidimi. Zgjedhja e kreut të SPAK bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar; në aftësitë drejtuese, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, imazhin publik të karrierës së tij, etj. Votimi për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme bëhet i hapur dhe nominal dhe kryetar i ri zgjidhet kandidati që merr më shumë vota në Këshill, pra mjafton që ai të marrë një votë më shumë se kandidatët e tjerë. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, Këshilli me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm, kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.