Regjisori Erenik Beqiri në Fakultetin e Artit Skenik ndau përvoja, ide dhe sfida nga rrugëtimi i tij me kinemanë. Masterclass-i “Per Aspera Ad Astra” me regjisorin e njohur Erenik Beqiri, i nominuar për Best Short Film në Festivalin e Kanës dhe fitues në Bienalen e Venecias me filmin “Short Trip” mblodhi studentë, regjisorë të rinj dhe pasionantë të kinemasë për të ndarë përvoja, ide dhe sfida nga rrugëtimi i vështirë, por i bukur drejt artit filmik. “Diskutimet mbi procesin e ngritjes së fondeve, përballimin e vështirësive dhe krijimin e projekteve të reja, sollën një atmosferë frymëzuese dhe reale për të gjithë pjesëmarrësit. Një falënderim i veçantë për Erenik Beqirin që ndau sinqeritet dhe pasion eksperiencën e tij dhe i frymëzoi të rinjtë të ecin përpara, pavarësisht sfidave.
Me moton “Per Aspera Ad Astra”, ky takim na kujtoi se çdo hap përmes vështirësive është një hap drejt yjeve”, thuhet nga Universiteti i Arteve. Erenik Beqiri i lindur në qytetin e Pukës është diplomuar për Regji Filmi dhe Televizioni, në Akademinë e Arteve (2010). Filmi “A Short Trip” (Një udhëtim i shkurtër) i regjisorit shqiptar Erenik Beqiri fitoi çmimin filmi më i mirë i shkurtër në festivalin e filmit në Venecia në edicionin e 80-të të tij. Filmi “Një udhëtim i shkurtër” i regjisorit Erenik Beqiri konkurroi së bashku me 12 filma të tjerë në kategorinë “Orizzonti Cortometragio” në Venecia dedikuar filmave, që përfaqësojnë tendenca të reja estetike dhe shprehëse të kinematografisë botërore, me fokusin tek talentet e rinj dhe kinematografitë më pak të njohura. Filmi u xhirua në Francë dhe rolet në film regjisori ia ka besuar Luana Bajramit, Tristan Halilajt, Arben Bajraktarit dhe Walid Afkir.
Regjisori Erenik Beqiri në Fakultetin e Artit Skenik për rrugëtimin e tij me kinemanë
