Nga Julia Vrapi
Mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore jomateriale të Shqipërisë mblodhi në një takim ekspertë, studiues e specialistë të fushës. Fuqia e tregimtarisë në trashëgiminë jomateriale ishte subjekt i takimit në kuadër të projektit “Heritage is Our Brand”. Në këtë takim u trajtuan probleme të ndryshme, ku pjesë e diskutimeve ishte dhe fondi në Institutin e Antropologjisë, që sipas etnografes Afërdita Onuzi ka nevojë të njihet nga publiku. Ashtu si edhe në reagimet e saj më parë që ka sjellë në vëmendje fondin etnografik, etnografja Afërdita Onuzi vuri në dukje dhe rëndësinë e muzeut etnografik në Tiranë. Në fjalën e saj etnografja Afërdita Onuzi rreshtoi fondin e madh të trashëgimisë shpirtërore në Institutin e Antropologjisë, mijëra faqe me përralla, legjenda, histori, të cilat presin të shfletohen, digjitalizohen dhe promovohen. “Ajo tha se 1 për qind e këtij fondi njihet nga publiku, dhe nevojitet sa më pare një Muze Etnografik i Shqipërisë, por dhe i Tiranës”, thuhet në njoftimin rreth zhvillimeve të kësaj tryeze, që u zhvillua këto ditë me temën “Fuqia e tregimtarisë në trashëgiminë jomateriale”. Tryeza e diskutimit u mbajt në kuadër të projektit “Heritage is Our Brand”, zbatuar nga organizata DMO Albania në partneritet me EU Policy Hub dhe financuar nga Bashkimi Europian. Projekt dyvjeçar, që ka synim të rrisë ndërgjegjen kombëtare dhe të edukojë kryesisht brezat e rinj me ruajtjen e trashëgimisë jomateriale ose shpirtërore të përcjellë në breza. Në këtë tryezë u prezantua dhe botimi me 40 histori të projektit, të cilat tregojnë për vlerat e karakterit dhe jetës së shqiptarëve në shekuj, një studim siç thuhet në njoftim i kryer nga një grup ekspertësh shqiptarë, historianë dhe arkeologë që solli në një formë të patreguar më parë histori të trashëgimisë shpirtërore, duke nisur që nga mitologjia, antikiteti, mesjeta, periudha moderne si dhe rituale dhe tradita.
Krijimi i fondacionit për artizanatin
Zv. ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit Lira Pipa në fjalën e saj ndër të tjera shprehu se një ndihmë e madhe për trashëgiminë jomateriale është dhe krijimi i fondacionit për artizanatin. Sipas saj fondacion që do të certifikojë produktet shqiptarëve të artizanëve tanë, në mënyrë që turistët të marrin një suvenir Made in Albania si dhuratë kur të largohen që këtej. “Ajo mbështeti idenë për certifikimin e historisë që tregohet për turistët, vendosjen e audioguidave me histori të certifikuar, ngritjen e grupeve të punës edhe për të kontrolluar tregtimarinë në zona apo vende që presin shumë turistë”, thuhet në njoftim. I pranishëm në tryezë ishte dhe përfaqësuesi i Delegacionit të BE në Shqipëri, z. Andrea Ferrero, i cili mbështeti punën e projektit, dhe rëndësinë e trashëgimisë shpirtërore dhe tregtimtarisë që përcillet në breza. Në vijim u bë dhe prezantimi i arritjeve të projektit deri tani dhe hapat vitin që vjen, që kanë të bëjnë me përfshirjen e këtyre gjetjeve të projektit në edukimin e të rinjve. Projekti që po zbatohet në Muzeun Historik Kombëtar ishte gjithashtu pjesë e diskutimeve në këtë tryezë që mblodhi ekspertë, specialistë të trashëgimisë kulturore, drejtues institucionesh, etj. Elenita Roshi, drejtoreshë e Muzeut Historik Kombëtar ndër të tjera foli për risitë në projektin e rikonstruktimit të MHK, dhe për sfidat aktuale në muzeologjinë shqiptare, veçanërisht për gjendjen e mjerë, ku ndodhen sot muzeumet në gjithë vendin dhe nevojën urgjente për përmirësimin e narratives në muzeumet aktuale. Në Muzeun Historik Kombëtar ka nisur restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi me një ndërhyrje në kuadër të programit “EU4Culture”, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e BE dhe MTKS.
Trashëgimia kulturore, etnografja Afërdita Onuzi: Sa më parë një Muze Etnografik i Shqipërisë, por dhe i Tiranës
