Teknika të hershme të fotografisë, programi mbyllet me ekspozitën me punimet e realizuara nga pjesëmarrësit

Programi i teknikave të hershme të fotografisë ishte pjesë e aktivitetit, që vijoi përgjatë disa ditëve në Shkodër. Pas katër ditësh intensive krijimtarie dhe eksperimentimi në hapësirat e Qendrës Rinore Qendra Rinore ARKA Shkodër dhe muzeut kombëtar të fotografisë “Marubi”, u përmbyll programi, që kulmoi me hapjen e ekspozitës kolektive me punimet e realizuara nga pjesëmarrësit.
Nën udhëheqjen e kuratores Orestia Kapidani dhe mentorëve Maximilian Zeitler, Jonas Ruhs dhe Elvis Halilovic, pjesëmarrësit eksploruan proceset tradicionale të fotografisë, nga ndërtimi i kamerës pinhole, puna në dhomën e errët, pllakat e thata, deri te teknikat cyanotype dhe luminogram. Sipas muzeut “Marubi”, kjo nismë që prej tre vitesh është shndërruar në një traditë të qëndrueshme bashkëpunimi mes ARKA-s dhe muzeut vijon të mbetet një hapësirë frymëzuese për të rinjtë dhe artistët, që kërkojnë të zbulojnë magjinë e fotografisë përmes teknikave të vjetra. Në ditën e katërt të masterclass-it, pjesëmarrësit eksploruan botën krijuese të teknikave alternative të fotografisë, duke u njohur me proceset cyanotype dhe luminogram, dy teknika që theksojnë lidhjen midis dritës, materialit dhe eksperimentimit. Gjatë mëngjesit, ata mësuan bazat e procesit cyanotype, një teknikë e vjetër që prodhon imazhe me nuanca të thella blu, dhe krijuan punime personale përmes kompozimeve me objekte dhe tekstura të ndryshme.
Më tej po këtë ditë puna vijoi me luminogramet, imazhe të krijuara drejtpërdrejt nga drita mbi materialin fotosensitiv, pa përdorimin e kamerës, duke theksuar rolin e dritës si mjet i pastër krijues. Dita e fundit u përmbyll me një seancë reflektimi mbi rezultatet, proceset dhe përvojën e eksperimentimit, duke nxitur diskutime mbi lidhjen mes praktikave historike dhe qasjeve bashkëkohore në fotografi.