Policia e Shtetit pritet të pajiset me uniforma dhe këpucë të reja përmes një tenderi të shpallur këtë të hënë nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, me një fond total prej rreth 2.7 miliardë lekësh, që përkthehet në rreth 27 milionë euro. Sipas dokumenteve shoqëruese të procedurës, 1.9 miliardë lekë janë parashikuar për uniformat, gradat, stemat dhe shenjat, ndërsa pjesa tjetër e fondit do të përdoret për blerjen e këpucëve.
Në dokumentacion janë përcaktuar qartë sasitë e nevojshme për secilin prej artikujve dhe afatet e shpërndarjes së tyre. Uniformat verore duhet të shpërndahen deri më 1 maj të çdo viti, ndërsa ato dimërore jo më vonë se data 1 tetor. Afati kohor për realizimin e kontratës së parë, që do të nënshkruhet brenda Marrëveshjes Kuadër, është caktuar nga 60 deri në 150 ditë nga data e lidhjes së kontratës. Gjithashtu, në këtë fazë të parë të furnizimit, nuk do të porositet më shumë se 50 për qind e sasisë së parashikuar për vitin e parë.
Operatorët ekonomikë që do të marrin pjesë në këtë tender, janë të detyruar të dorëzojnë dy modele fizike të secilit artikull përpara se të nisin prodhimin. Këto modele duhet të jenë në përputhje me kërkesat e Policisë së Shtetit dhe nuk mund të nisë prodhimi pa miratimin paraprak të autoritetit kontraktor. Për më tepër, ata duhet të deklarojnë zyrtarisht që afati i garancisë për produktet që do të furnizojnë do të jetë një vit për ato artikuj që kanë përdorim njëvjeçar dhe të paktën dy vjet për ata që përdoren për një periudhë më të gjatë.
Kjo procedurë vjen si pjesë e përpjekjeve për modernizimin e strukturave të Policisë së Shtetit dhe sigurimin e kushteve të përshtatshme për efektivët në detyrë, në përputhje me nevojat operacionale dhe kushtet klimatike të vendit.
Policia e Shtetit me uniforma dhe këpucë të reja, hapet tenderi me vlerë 27 milionë euro
