Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Romë, ku pjesë e kullës mesjetare Torre dei Conti u shemb gjatë punimeve të restaurimit, duke shkaktuar vdekjen e një punëtori. Viktima, një 66-vjeçar me origjinë nga Rumania, u nxor nga rrënojat pas një operacioni shpëtimi që zgjati mbi njëmbëdhjetë orë, por ndërroi jetë pak pasi u dërgua në spital.
Sipas autoriteteve italiane, punëtori kishte mbetur i bllokuar në një nga katet e sipërme të kullës dhe gjatë gjithë kohës së operacionit kishte mbajtur kontakt me ekipet e shpëtimit, të cilat arritën t’i siguronin oksigjen. Pak para se të nxirrej, ai kishte thënë me zë të dobët: “Bëni shpejt, nuk do të rezistoj më gjatë.”
Gjatë shembjes së parë të strukturës, një tjetër punëtor 64-vjeçar u plagos rëndë, ndërsa tre të tjerë u shpëtuan nga zjarrfikësit, përballë qindra turistëve që ndiqnin me ankth ngjarjen. Në total, mbi 140 zjarrfikës morën pjesë në operacionin e shpëtimit.
WATCH: A section of Rome’s Torre dei Conti, the 29-meter tower built in the early 13th century, collapsed for a second time during restoration, injuring three workers pic.twitter.com/5xNPFyM9L1
— Reuters (@Reuters) November 3, 2025
Prokuroria e Romës ka hapur hetime për vrasje nga pakujdesia, ndërsa më herët kishte nisur një procedim për shkaktim dëmtimi trupor nga pakujdesia, pasi në kullë prej disa javësh po zhvilloheshin punime restaurimi të financuara nga Bashkimi Evropian.
Torre dei Conti, e ndërtuar fillimisht në shekullin IX dhe e zgjeruar në shekullin XIII nga Papa Inoçenci III, ishte mbyllur që prej vitit 2007 dhe po rikonstruktohej për t’u kthyer në qendër kulturore.
Roma, crolla altra porzione della Torre dei Conti pic.twitter.com/V6cyLElzQK
— Local Team (@localteamit) November 3, 2025
Ngjarja mori edhe përmasa diplomatike, pasi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, komentoi shembjen duke e lidhur me mbështetjen e Italisë ndaj Ukrainës deklaratë që u dënua ashpër nga ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, i cili e quajti “të turpshme dhe të papranueshme për një vend të civilizuar.”
/vizionplus.tv

Leave a Reply