IZHIQ/ Ligji mbron në letër por realiteti ndëshkon, situata e nënave në punë

Në Shqipëri, shumë gra shtatzëna përballen me sfida të shumta në tregun e punës, edhe pse ligji i garanton të drejta mbrojtëse. Raporti i fundit i Institutit për Zhvillim dhe Iniciativa Qytetare (IZHIQ) zbulon se qindra gra që janë në periudhën e shtatzënisë ose lehonisë përballen me diskriminim, pushim të paarsyeshëm, detyrime për dorëheqje dhe presion për të lënë punën.
Sipas drejtoreshës së Institutit për Zhvillim dhe Iniciativa Qytetare (IZHIQ), Daniela Burnazi, problemi i diskriminimit të grave shtatzëna në tregun e punës është shumë i shpeshtë, veçanërisht për ato që janë në moshën riprodhuese. Ajo shpjegon se në studim janë shqyrtuar përvojat e 207 grave, ku 71% janë në moshën 31-40 vjeç, 24% në grupmoshën 21-30 vjeç dhe 5% në moshën 41-50 vjeç. Nga të dhënat rezulton se 48% e punojnë në sektorin privat, ndërsa 51% në sektorin publik. Megjithatë, rastet më të shumta të shkeljeve ndodhin në sektorin privat, ku kontrollet janë të rralla dhe kontratat shpesh të përkohshme.
Raporti gjithashtu tregon se në fasoneri, shumë punëdhënës shmangin detyrimet ligjore për lejen e lindjes për shkak të kostove financiare, duke krijuar një ambient pune jo të favorshëm për nënat. Burnazi thekson se studimi nxori të dhëna tronditëse: 23% e grave janë nën presion për të dhënë dorëheqjen, 17% janë pushuar nga puna, 14% kanë pësuar ulje page ose reduktim orari, ndërsa 29% përballen me forma të tjera të trajtimit të padrejtë.
Një prej grave të anketuara, punonjëse në një qendër tregtare në Tiranë, tregon:
“Kur u thashë se isha shtatzënë, më ulën orarin dhe më zhvendosën në turnet e vona. Pas tre javësh, më hoqën. Nuk bëra ankesë, sepse nuk kisha para për avokat dhe më duhej të gjeja një punë tjetër.”
Fenomeni i diskriminimit pas kthimit nga leja e lindjes është gjithashtu i përhapur, ku shumë gra u refuzohen të rikthehen në të njëjtin pozitë ose u ndryshojnë kushtet e punës në mënyrë që të detyrohen të largohen vetë.
Pavarësisht se ligjet shqiptare mbrojnë gjatë periudhës së shtatzënisë dhe pas lindjes, praktikat që përfshijnë shkarkime të papritura, zëvendësimeve të padrejta ose ndryshime të padrejta të kushteve të punës janë të shpeshta, veçanërisht në sektorin privat si fasoneria, call center dhe tregtia. Shumë gra tregojnë se janë detyruar të pranohen me orare të ndryshuara ose të largohen pa shpjegim të pranueshëm, duke u penguar në zhvillimin profesional dhe duke përjetuar ndjenja pasigurie.
Një problem i rëndësishëm është edhe mungesa e zbatimit të ligjit nga ana e inspektorateve, që nuk ndërhyjnë për të ndëshkuar abuzuesit. Pothuajse shtatë nga dhjetë gra nuk dinë ku duhet të bëjnë denoncime, ndërkohë që shërbimet publike mbeten të dobëta në mbështetje. Kjo në radhë të parë ndikon në vetëbesimin e grave dhe krijon një klimë ku diskriminimi vazhdon pa pasoja ligjore.
Raporti këshillon nevojën për forcat mbikëqyrëse më të fuqishme, krijimin e kanaleve të siguruara për denoncime konfidenciale dhe ofrimin e rregullave më fleksibile të punës, në mënyrë që nënat e reja të ndjehen të mbrojtura dhe të mbështetura në karrierën e tyre. Problemi i diskriminimit në vendin e punës shënon një shenjë se shoqëria akoma e shikon prindërimin si pengesë, duke refuzar ta pranojë të drejtën e prindërimit si një e drejtë themelore që nuk duhet pengesë për zhvillimin profesional.