Vendimi i GJK për Veliajn, Kikia: Presidenti është institucioni më i dëmtuar juridikisht

Mentor Kikia e cilësoi vendimin si një tronditje për politikën, duke theksuar se ishte i papritur për publikun, edhe pse ligjërisht i arsyeshëm.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e tronditi politikën, sepse për shumë kënd ishte i papritur, edhe pse është ligjërisht i arsyeshëm. Them i papritur, sepse opinioni publik – dhe jo vetëm – ishte karikuar me idenë që kjo çështje kishte mbaruar,” tha Kikia.
Ai analizoi mënyrën se si u shpallën zgjedhjet duke theksuar se “Zgjedhjet u shpallën në një forum politik. Aty u shpall edhe kandidatja për kryebashkiake, madje u shpall dhe fituese po aty. Të nesërmen mblodhi Këshillin Bashkiak të Tiranës, u mor vendimi për propozim për shkarkim, u firmos nga Këshilli i Ministrave, shkoi në KQZ, nga këtu në Presidencë dhe u mor vendimi për zgjedhje.”
Sipas Kikias, institucioni që doli më i dëmtuar nga ky proces është Presidenca.
“Presidenti, në mënyrë absolute, nuk duhet të kishte dekretuar datën e zgjedhjeve pa e pasur bosh karrigen e kryetarit.”
Ai shtoi se duhet pritur zbardhja e vendimit për të kuptuar më mirë arsyetimin “Duhet të presim zbardhjen e vendimit për të kuptuar arsyetimin e vendimit dhe për të kuptuar raportet se si janë zhvilluar debatet brenda trupës gjyqësore.”