Nga Julia Vrapi
Baleti “La Sylphide” këtë nëntor në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ndërsa programi artistik vijon dhe me koncerte premierë, muzikën e filmave shqiptarë apo dhe aktivitete të tjera. Në vijim të aktivitetit artistik muzika e George Enescu-t vjen premierë në Tiranë, një mbrëmje muzikore më 6 nëntor në TKOB që i kushtohet gjeniut rumun dhe trashëgimisë së tij muzikore. “Shqipëri o nëna ime”, premiera e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore do të jetë më 8 nëntor. Më 10 nëntor do të jetë “Koncert Simfonik Poetik”, me orkestrën e harqeve të TKOB dhe dirigjent James Ross, violonçel Dorina Laro dhe klarinetë Erenik Behlula. Por më 15 nëntor artistë nga TKOB do të jenë në Gjakovë, ku do të zhvillohet koncerti gala “Ermonela Jaho” me dirigjent Sergio Alapont dhe Orkestrën Simfonike të TKOB në bashkëpunim me festivalin “Ditët e nëntorit”. Koncerti do të zhvillohet në Pallatin e Kulturës në Gjakovë. Më 17 nëntor programi muzikor vijon me koncertin koral “Trupa e korit të TKOB”, dirigjent Dritan Lumshi dhe piano Ingrid Pulizo. Më 19 nëntor në hollin koncertor muzikë dhome me “Koncert recital duo cello-piano”, violonçel Ejona Nako dhe piano Ina Petrollari Laço. Kalendari artistik më 21 nëntor sjell koncertin instrumental-simfonik “Beethoven dhe Mozart”, dirigjent Peter Michael Carst dhe Orkestra Simfonike e TKOB. Më 22 nëntor në hollin koncertor zhvillohet koncerti koral “Zëri i shpirtit”, Kori i Zërave të Bardhë, dirigjent Dritan Lumshi dhe koncert maestër Ingrid Pulizo, drejtuese e korit Sonila Baboçi. Më 25 nëntor “Kënga e Mjellmës”, cikli i fundit i Franz Schubert vjen premierë absolute. Një udhëtim poetik mes jetës dhe përjetësisë. Bariton Artur Vera dhe piano Etrita Ibrahimi. Më 26 nëntor Check Boys-Boni Puer, kori i djemve me famë botërore nga Çekia sjell 35 djem për të një koncert në TKOB, e më pas më 27 nëntor në teatrin “Petro Marko” në Vlorë. Dirigjent Marek Stilec, piano Vartan Agopian dhe dirigjent kori Pavel Horak. Në vijim të programit më 28 nëntor koncert muzikë filmash shqiptarë. Orkestra Simfonike e RTSH dhe Orkestra Simfonike e TKOB bashkohen në ditën e flamurit për të sjellë në kujtesë historinë e filmit shqiptar të treguar nën tinguj. Ansambli Popullor përmbyll muajin me performanca në Fier dhe Vlorë, duke shpërndarë ritmin e traditës shqiptare.
Baleti “La Sylphide”
“La Sylphide” është një nga baletet më të magjishëm të epokës romantike. Në versionin koreografik të August Bournonville, me muzikën plot ndjeshmëri të Herman Severin Løvenskiold dhe nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, trupa e baletit dhe Orkestra Simfonike e TKOBAP-së sjellin një mbrëmje përrallash më 4 dhe 5 nëntor. Libreti i veprës është nga Adolphe Nourit. Në mëngjesin e ditës së martesës, James, i rrëmbyer mes realitetit dhe ëndrrës, zgjohet nga një puthje e lehtë. Sylphide, një krijesë ajri që e thërret drejt botës së saj të padukshme. Ai përpiqet ta harrojë, por fryma e saj e ndjek kudo. Një shtrigë e vjetër, Madge, i profetizon të fejuarës së tij, Effies, se do të martohet me kushëririn Gurn, jo me James-in. I ndarë mes dashurisë tokësore dhe asaj qiellore, James ndjek Sylphide-n në pyllin e saj magjik. Duke u përpjekur për ta mbajtur pranë atë, ai bie pre e mashtrimit të shtrigës dhe i hedh mbi supe një shall të helmuar, duke e shuar atë. “La Sylphide” është një nga baletet e para romantike. Për herë të parë u performua në Paris, në vitin 1832.
“La Sylphide” këtë nëntor në skenë, kalendari artistik në TKOB vijon edhe me koncerte premierë
