Këshilltari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, komentoi në emisionin “3D” vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pranimin e ankimit të Erion Veliajt, duke e cilësuar këtë dështim “si pasojë të drejtpërdrejtë të strategjisë së gabuar të mazhorancës”.
Sipas Telitit, opozita kishte kërkuar mbledhje urgjente jo për të vendosur për “statusin juridik të Veliajt”, por për të adresuar shkeljet thelbësore të kryera prej tij si kryebashkiak.
“Kërkesa jonë ka qenë që vendimi për shkarkim të mos bazohej thjesht te 3-mujorshi, por tek shkeljet e kryera,” tha Teliti.
Ai argumentoi se vendimi i shkarkimit nga Këshilli Bashkiak u bazua vetëm në afatin 3-mujor të mungesës në detyrë, duke injoruar kërkesën e opozitës për të përfshirë shkeljet ligjore të Kryebashkiakut të arrestuar.
Teliti solli si shembull konkret të shkeljeve marrjen e kompetencave të Këshillit Bashkiak nga Veliaj.
“Ai as dhe një ndihmë të vetme qoftë dhe si ndihmë sociale, nuk e jep dot pa vendim të Këshillit Bashkiak. Ai ka marrë kompetencat e Këshillit Bashkiak. Në këtë moment, për marrje kompetencash, mblidhet këshilli dhe e shkarkon. Kjo në këndvështrimin tonë është shkelje kushtetuese,” shpjegoi Teliti.
Ai përmendi gjithashtu shkresën e Veliajt për 96 milionë euro për inceneratorët si një tjetër shembull të marrjes së vendimeve thelbësore pa miratimin e Këshillit.
Teliti e ngriti akuzën më tej, duke pretenduar se dobësia e vendimit për shkarkim ishte e qëllimshme nga ana e mazhorancës.
“Mazhoranca e nisi në mënyrë të njëanshme gjithë procesin për shkarkimin e tij. Ne kërkuam që motivi për shkarkim të pasurohej. Ka qenë një vendim që ta bënte vetë vendimin të cënueshëm në Kushtetuese, në varësi të interesave të brendshme të PS. Është shkruar në mënyrë të qëllimshme aq keq si vendim për shkarkim. Edhe juristi më i thjeshtë ta thotë këtë. Koha e provoi sot,” përfundoi Teliti.
Vendimi GJK për Veliajn, këshilltari i PD: U shkrua ‘qëllimisht keq’ nga PS për të qenë i cenueshëm në…
